Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një foshnje 15-muajshe shqiptare ka humbur jetën mbrëmjen e së martës, në spitalin Bodosakeio në Ptolemaida.

Vogëlushi është dërguar me temperaturë të lartë në Klinikën e Pediatrisë në orët e vona të natës, rreth orës 23:00 dhe disa orë më vonë ka ndërruar jetë.

Mediat greke raportojnë se ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në trupin e foshnjës 15-muajshe, ka zbuluar se shkak i vdekjes është një infeksion i rëndë respirator, ndërsa rezultatet e analizave histologjike priten në vijim.

Autoritetet greke janë duke hetuar pretendimet e familjarëve të foshnjes të cilët thonë se ai shkoi në spital edhe dy herë të tjera, por mjekët vendosën që djali i vogël nuk kishte nevojë për shtrimin në spital dhe kështu ai u kthye në shtëpi.

Konkretisht, sipas familjarëve, hera e parë që prindërit kanë shkuar në spital me foshnjën ka qenë mëngjesi i Vitit të Ri, pasi fëmija kishte temperaturë shumë të lartë. Mjekët u dhanë udhëzime dhe u thanë të shkonin në shtëpi.

Të nesërmen në mëngjes ata shkuan përsëri në spital pasi foshnja kishte temperaturë të lartë, por përsëri mjekët u thanë se nuk kishte nevojë të shtrohej. Hera e fundit rezultoi fatale pasi kur mjekët mbërritën në urgjencë të martën mbrëma, nuk mundën t’i shpëtonin jetën fëmijës.

Varrimi i foshnjës do të bëhet në Shqipëri./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re