Një mjet lundrues është bllokuar nga Policia Kufitare në Borsh pasi kaloi zonën e kufizuar dhe nuk dispononte dokumentacion në bord.

Gjithashtu është ndëshkuar me 510 mijë lekë drejtuesi i këtij mjeti lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Borsh dhe Sarandë, në vijim të kontrolleve, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, kanë konstatuar në plazhin e Borshit, një mjet lundrues tip gomone, me drejtues shtetasin I. H., 49 vjeç, banues në Sarandë, i cili nuk respektonte zonën e kufizuar për lëvizjen e mjeteve lundruese dhe nuk dispononte dokumentacionin përkatës në bord. Nga shërbimet e Policicë Kufitare është bërë menjëherë shoqërimi dhe bllokimi i mjetit lundrues, në portin e Sarandës.

Në bazë të ligjit nr.43 të vitit 2020, neni 24/1/c, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi I. H. u ndëshkua me masën administrative 500.000 lekë të rinj, për mosrespektimin e zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Gjithashtu, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2021, neni 14/1/b, ky shtetas u ndëshkua me masën administrative 10.000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni (në bord).

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.

#angazhimpërkushtimsakrificë👮️🚔

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re