Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, mbrëmjen e sotme i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus të moderuar nga Pranvera Borakaj ka ardhur me një rrëfim ndryshe.

Që nga vështirësia për tu shkolluar e deri te hapat e parë të karrierës, Malaj ka rrëfyer sfidat me të cilat është përballur.

Pranvera Borakaj: Nuk ka qenë e lehtë për të ndjekur shkollën e mesme për ju. Keni bërë shumë kilometra në këmbë për të shkuar nga Llakatundi në Vlorë dhe nga Vlora për tu kthyer sërish. Çfarë ju frymëzonte?

Arben Malaj: Investimi më i madh që bëri familja te ne ishte dashuria për t’u arsimuar. Unë kisha dy vëllezër që kishin mbaruar universitetin Bujqësor. Njëri në Tiranë, tjetri në Korçë. Në atë kohë kishte një vendim që nga një familje nuk mund të jepeshin më shumë se një, dy bursa. Unë nuk mora mbështetje as për shkollën e mesme dhe nuk kisha qejf të vazhdoja agronomi derisa të gjeja diçka ndryshe. Mora përsipër që të bëja shkollën e mesmë natën në Vlorë. Ishim 4 shokë nga Llakatudi dhe ishte një sakrificë jo e lehtë. Gjëja më e tmerrshme ishe të ktheheshe natën. Ne për të shkuar në Llakatund kalonim përmes varrezave të Vlorës. Ishte si e programuar, sa fusje këmbën në varreza e derisa dilje një kukuvajkë të ndiqte me atë zërin e saj rrëqethës dhe kur ishe vetëm ishte e frikshme.

Unë i jam shumë mirënjohës mësuesve të mi sepse ata më kanë promovuar. Unë nuk kisha ndonjë bazë familjare për karrierë të rëndësishme politike, profesionale mund ta arrija vetë, por mësuesit e mi të shkollës së mesme e dinin vështirësinë për shkollimin tim dhe shkonin në komitetin ekzekutiv që unë të merrja bursë. Studentët tanë nuk e kuptojnë që ka pasur pengesa për të shkuar në universitet sepse ata mund të zgjedhin çfarë të duan. Unë punova 6 vjet në bujqësi, por kolegët e ekonomisë dhe financierë më merrnin gjatë periudhës së verës për të ndihmuar për financimin e shkollës dhe mora një edukatë pune të veçantë. Jam rritur që i vogël me profesorë që më kanë ndihmuar edhe të formohesha edhe të promovohesha. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re