Artisti Robert Aliaj, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka bërë një thirrje të fortë drejtuar shoqërisë shqiptare dhe komunitetit të artistëve për t’u bërë pjesë e protestës qytetare që po zhvillohet në kryeqytet.

Aliaj u shpreh se kjo është një betejë ku çdo familjar duhet të ndjejë përgjegjësi për të ardhmen, por nga ana tjetër ndau një alarm të madh lidhur me prapaskenat e politikës. Ai paralajmëroi se dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, do të tentojnë me të gjitha mënyrat ta sabotojnë dhe ta përçajnë këtë lëvizje organike, ashtu siç bënë disa vite më parë.

Aliaj shprehu skepticizmin e tij mbi fatin e lëvizjes nëse qytetarët lejojnë që partitë politike të fusin duart në kauzën e tyre, duke kujtuar skenarin e hidhur të kaluarës.

“Të gjithë prindërit duhet të dalin në shesh, nëse mendojnë se kjo situatë mund të ndryshohet. Por kam shumë frikë se do e përçajnë protestën. Ndodhi me protestën e studentëve në vitin 2018, kur PS dhe PD u përfshinë dhe e përçanë me mënyrat e tyre,” deklaroi Aliaj përballë gazetares Nisida Tufa.

Më tej, Aliaj nuk i kurseu kritikat as për botën e artit në Shqipëri, duke u kujtuar artistëve se nuk mund të qëndrojnë indiferentë apo të fshihen përballë shqetësimeve të publikut që i ka ngritur në piedestal.

“Edhe artistët kanë një detyrim, sepse ka kosto të jesh artist. Fama e tyre ushqehet nga këta njerëz, prandaj artistët në Shqipëri duhet të jenë bashkë me njerëzit në shesh,” përfundoi Aliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re