Një fushatë bamirësie e hapur në Angli për të ndihmuar 17-vjeçarin Erind Goçlari dhe familjen e tij ka mbledhur mbi 120 mijë paund, duke tejkaluar ndjeshëm objektivin fillestar prej 85 mijë paundësh.
Fushata në GoFundMe është iniciuar nga gazetari i News24, Osman Stafa. Një ditë më parë ai tregon me pamje se familja e të riut jeton në kushte të vështira ekonomike dhe ka nevojë urgjente për rikonstruksionin e banesës. Sipas tij, Erindi humbi nënën nga kanceri në vitin 2018, kur ishte ende fëmijë, ndërsa sot jeton me të atin, vëllanë dhe motrën.
Në përshkrimin e fushatës thuhet se 17-vjeçari mori pjesë në protestat kundër kryeministrit Edi Rama, ku kërkohej dorëheqja e tij, dhe më pas u gjobit nga Policia e Shtetit me 5 milionë lekë të vjetra, ose rreth 500 mijë lekë të rinj. Shuma e gjobës përllogaritet në afërsisht 4,600 paund.
Sipas organizatorit të fushatës, i riu nuk ka mundësi ekonomike për ta paguar këtë gjobë. Një raportim nga BalkanWeb, i publikuar më 8 nëntor tregoi gjithashtu shqetësimin për pamundësinë e tij për të përballuar këtë detyrim.
Daniel Nikolla thekson se fondet e mbledhura do të përdoren për rikonstruksionin e banesës, me qëllim që Erindi dhe familjarët e tij të kenë kushte normale jetese. Në përshkrimin e fushatës, familja kërkon vetëm një banesë dinjitoze, pas vështirësive ekonomike me të cilat është përballur.
Deri më tani, kontributet kanë kaluar 119 mijë paund, rreth 12.8 milionë lekë, ndërsa shuma vazhdon të jetë më e lartë se objektivi i vendosur në nisje të nismës.
Linku në GoFundMe
