Aktivisti Adriatik Lapaj prezantoi lëvizjen më të re qytetare, të quajtur “Shqipëria bëhet”. I ftuar në emisionin “Open” në Neës24, ai tha se ky ishte një vendim i vështirë, pasi do të lërë mënjanë profesionin e tij si avokat dhe do të merret me përgjegjësi të tjera karshi qytetarëve.

Ai zbuloi se ka pasur oferta për t’u bashkuar me partitë politike nga i gjithë spektri në vend, por ka kundërshtuar me arsyetimin se ka kërkuar ndryshimin.

Sipas tij lëvizja “Shqipëria bëhet” nuk është ende një parti politike, por shtoi se do të vijë dita kur do të përballet në zgjedhje si parti politike me forcat e tjera.

“Ishte një vendim i vështirë pasi ka përgjegjësi karshi shoqërisë, familjes por edhe ndaj vetes. Unë jam një profesionist në karrierë dhe ky angazhim do bëjë të ul performancën time si avokat, gjë që është e vështirë për mua. Nga ana tjetër është përgjegjësia që marr për qytetarët, për të cilët dua të krijoj shpresë.

Mes ëndrrës së ngritjes në karrierë dhe asaj që të realizohen ëndrrat e fëmijëve të këtij kombi, anoj te kjo e dyta. Kam marrë oferta nga parti politike. Vendimet e kësaj republike janë marrë historikisht nëpër Bllok ose në kolltukët e Dhërmiut, aty ku elita e vendit mblidhet e merr vendime për ne. Them që mund të isha pjesë e tyre sepse jeta është zgjedhje. Mund të bëhesha palë, kam marrë gjithmonë oferta nga gjithë spektri politik.

Po të ishte për biznes mund të rrija aty ku isha. Arsyeja janë betejat e mia prej moshës 22-vjeçare për të kërkuar një ndryshim në këtë vend. Nga jashtë mund të debatohet, por duhet angazhim i drejtpërdrejtë për ndryshimin. Kjo nuk është një parti, por mund të bëhet parti politike. Temat që trajton kjo lëvizje duhet të bashkojnë këdo përtej ndasive partiake.

Nëse gjithë Tirana e di që X ministër është i korruptuar, por kryeministri nuk reflekton, ai nuk ndëshkohet dot me sistemin e sotëm, ndaj ne kërkojmë hapjen e listave. Qytetari duhet të ketë mundësi për atë që performon mirë ta ngrejë në renditje dhe ta fusë në parlament. Nuk duhet të ketë blloqe njerëzit që shkojnë pas dikujt për interesa, por shkon me fuqinë që të ka dhënë populli për të kundërshtuar.  Një ditë do përballemi si parti politike, por ky është rrugëtim”, u shpreh Lapaj.

Ndërsa i pyetur se në cilin krah qëndron, majtas apo djathtas, Lapaj tha: “Vota e emigrantëve i duhet të majtëve dhe të djathtëve?! Unë besoj që po, dhe jam me të gjithë këta. Hapja e garës i duhet të majtës dhe të djathtës? Unë besoj se po dhe jam me të dy palët. Nëse ju më pyesni je për taksën e sheshtë apo atë progresive, unë jam për taksën e sheshtë sepse jam që të taksohet për cdo njësi individi dhe jo të taksohet ata që punojnë më shumë”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re