“Fillimisht bëja pjesë në grupin e Pernës. Me Raduanon kisha një telefon “pika-pika”. Ai filloi të më pyesë për zbarkimet dhe i tregova gjithçka”, kështu rrëfen Gianluigi Troiano, 34 vjeç, i njohur si “U’ Minorenne”, bashkëpunëtor i drejtësisë nga Vieste, i cili fillimisht ishte aleat i klanit Iannoli-Perna, të lidhur me malësorët Li Bergolis-Miucci-Lombardone, dhe më pas kaloi në organizatën rivale të Raduanos, edhe ky i penduar.

Troiano ka zbuluar trafikun e drogës “Coast to Coast” midis krimit të organizuar të Garganos dhe Shqipërisë, ku ka treguar mbi transportin e një ngarkese prej 1200 kilogramësh marijuanë qe u transportua në Torino përmes një furgoni.

“Kam marrë pjesë në tre zbarkime. Në njërin prej tyre, skafistët braktisën anijen në Pugnochiuso. Gjatë këtij zbarkimi, Trotta (Omar, i vrarë në 2017) ndodhej në Shqipëri si garanci. Unë kisha një shqiptar që jetonte prej kohësh në Itali. Kemi fjetur në një hotel në Ruggiano.

Kontaktet me shqiptarët i kishte Miucci përmes miqve të tij kalabreze. Miucci kishte organizuar tashmë disa zbarkime me shqiptarët. Ata kërkuan Trottën si garanci sepse më parë dy shqiptarë ishin arrestuar në Vieste me drogë dhe armë. Trotta shkoi në Shqipëri me avion. Kur u kthye, unë dhe Piergiorgio Quitadamo shkuam ta merrnim në aeroportin e Barit, ngarkesa e anijes ishte 1200 kilogramë.

Shqiptarët pastaj fjetën me ne. Ditën tjetër i shoqëruam në San Giovanni Rotondo, ku morën një autobus për të ikur. Pastaj e morëm marijuanën dhe e transportuam në Torino me furgonin e M.R. Atje ia jepnim shqiptarëve të tjerë që kishin një punëtori. Për këtë zbarkim morëm 100 kilogramë marijuanë si shpërblim. E ndamë mes nesh unë, Piergiorgio Quitadamo, Trotta, Claudio Iannoli, Roberto Prencipe, Libero Colangelo dhe Tommaso Tomaiuolo”, tregon ai.

Në një tjetër operacion, siç tregon ai, dy anije zbarkuan në Peschici me 4000 kilogramë drogë, ku 150 kilogramë marijuanë u morën si fitim dhe u ruajtën në një garazh privat deri në dërgimin përfundimtar.

“Më pas bëmë një tjetër zbarkim ku mbërritën dy anije. Një jaht i miqve të Miuccit dhe një gomone i miqve të Quitadamos. Në jaht kishte 3000 kilogramë, ndërsa në gomone 1000. Zbarkimi u bë në një zonë të Peschicit. Ne, unë dhe Piergiorgio, shkarkuam 1000 kilogramët dhe i transportuam me një furgon në një shtëpi fshati në Peschici.

Për 3000 kilogramët morëm si shpërblim 150 kilogramë. Për këtë zbarkim ishim të vetëdijshëm unë, Miucci, Quitadamo dhe Trotta. Pronarit të shtëpisë i lamë 10 kilogramë drogë. Edhe këtë herë e transportuam drogën në Torino.

Me ngarkesën e jahtit erdhën edhe dy Kalashnikovë, një për Miuccin dhe një e mbajti Piergiorgio. Shqiptarët na i dhuruan. Ishin të modifikuar për të qëlluar në breshëri. I provuam në Ruggiano”, thotë ai.

Troiano, duke u përgatitur të kalojë nga klani Iannoli-Perna te klani Raduano, i tregoi gjithçka Marco “Pallone” Raduanos: “I tregova ku ishin fshehur dhe ai ia mori. Në të njëjtën ditë të vjedhjes, Raduano shkoi tek R., telefonoi C.R. dhe i thirri vëllezërit. M. i vodhi një Audi A6 dhe një Rolex pas një sherri dhe i tha se nëse nuk do të kishte paratë, nuk ia kthente.

Kur mori 10 apo 20 mijë euro, plus një furgon, ia ktheu sendet. 150 kilogramët i ruajtëm për një kohë në një garazh në kështjellën që kishte Raduano në dispozicion, pastaj i dërgoi në Molinella ku u sekuestruan.”

Troiano tregon se brenda klanit kishte edhe vrasës profesionistë dhe persona përgjegjës për armët dhe trafikun e drogës, të cilët operonin me kujdes të madh, pa përdorur telefona apo makina, dhe që ruanin marijuanën përpara se ta transportonin më tej.

Ai përmend gjithashtu se një prej tyre ka qenë përgjegjës edhe për trafikun e kokainës në zonën e Manfredonisë.

“Tommaso Tomaiuolo ishte një nga vrasësit e grupit Miucci-Perna. Roberto Prencipe nga mali (i përmendur nga i penduari Pettinicchio si autor i masakrës në San Marco) ishte përgjegjësi i Miuccit për armët, drogën dhe vrasjet. Me të kam pasur kontakte të drejtpërdrejta.

Ai nuk përdorte telefona dhe nuk lëvizte me makinë. Ishte shumë i kujdesshëm. Shkonim direkt në shtëpinë e tij. Të gjithë marijuanën e zbarkimeve e linim tek ai, pastaj ai e transportonte te Miucci. Gjatë zbarkimit në Pugnochiuso, ai shërbeu si stafeta. Di që tregtonte kokainë për Manfredoninë“, ka treguar ai për mediat italiane.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko