Në redaksinë e emisionit “Shqipëria Live” kanë shkuar disa letra nga burgje të ndryshme, ku kërkojnë të flitet vetëm për ta. Në letrat në fjalë, veç kërkesës për t’u takuar me familjarët fizikisht dhe jo përmes telefonave, ata kanë edhe ankesa të tjera në lidhje me keq menaxhimin e këtyre institucioneve.
Të burgosurit kanë ankesa për ushqimin dhe kushtet e higjienës në qelitë e paraburgimit. Kjo çështje u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në një moment merr në telefon një i burgosur.
Ai preferoi që të mos e zbulonte emrin, por tha se të gjitha gjërat që shkruhen në letra janë të vërteta.
“Të shkojnë t’i shohin në çdo lloj orari. Ushqimi është skandal, fasulja ka miza. Vetëm të drejtat e njeriut nuk respektohen në burg. Mos merrni vetëm telefonatën time, por shkoni dhe shikoni nga afër”, tha i burgosuri.
Ky i fundit tregon se si ka shkulur 4-5 dhëmballa, edhe pse nuk ishte e nevojshme që të hiqen, por vetëm të mjekoheshin.
“Këtu për çdo lloj dhimbje ka vetëm paracetamol. Kam shkulur 4-5 dhëmballa që nuk ishte nevoja t’i heqësh, vetëm se nuk kishte material t’i rregullonte. Vetëm mund t’i shkulë, nuk është faji i dentistit. Duhet të shkruar dy javë më para emrin për të shkuar te dentisti. Madje edhe nëse do më shkuar në spital me lekët e tua, nuk të lejon njeri”, tha i burgosuri.
Ai shtoi se në të gjithë dhomat e burgut ka një libër të kodit penal, por askush nuk e respekton atë libër.
“Është një dhomë për dy persona dhe ne jemi 4 persona. Nuk ka asnjë shans që të respektohen të drejtat e të burgosurit. Nuk punojnë dushet, herë ka ujë të ngrohë e herë jo. Duhet dy javë që të porosisësh edhe një gaz për të ngrohur ushqimin që na e sjellin familjarët. Se ushqimin e burgut e hanë vetëm ata që nuk kanë mundësi tjetër”, përfundoi i burgosuri.
/faxweb