Nga Hoxhë Justinian Topulli

Ebu Hurejra r.a. tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) të thotë:
“I gjithë umeti im është i falur, përveç atyre që i shfaqin gjynahet. Prej shfaqjes (së gjynaheve) është edhe një vepër që njeriu e bën natën, dhe ndërkohë që Allahu ia ka mbuluar, kur ai gdhihet në mëngjes, tregon dhe thotë: “O filan, unë kam bërë mbrëmë këtë e atë”, ndërkohë që Zoti ia kishte mbuluar atij këtë vepër. Ai gdhihet duke hequr perden, me të cilën Allahu e kishte mbuluar.” (Buhariu & Muslimi)

Në këtë hadith madhështor, Profeti i Zotit na tregon se të gjithë muslimanët shpresohet të falen dhe mëshirohen për gabimet dhe gjynahet e tyre, me të cilat i bëjnë padrejtësi vetvetes. Nga këta përjashtohen ata, të cilët i bëjnë gjynahet në mënyrë publike, ku përveç frikës nga Allahu, edhe turpi nga njerëzit iu mungon. Dhe pjesë e të bërit publike, janë edhe ato gjynahe që nuk i sheh askush me sy, por të cilat ai që i bën, i tregon vetë, duke i bërë publike ato. Ky mësim profetik na tregon se gjynahet që bëhen publike, janë më të dëmshme sesa ato që mbahen të fshehta, si për vetë personin, por edhe për shoqërinë. Kjo, sepse ai që i bën publike gjynahet, tregon një lloj arrogance dhe përligjje të asaj që bën, dhe përveç kësaj, ai ndikon negativisht në pjesën tjetër të shoqërisë, që ta marrin më lehtë gjynahun.

Ky mësim profetik përkon me realitetin dhe përvojën njerëzore, që tregon se sa më shumë të bëhen publike gjynahet, aq më shumë shtohen dhe përhapen ato, në kundërshtim me një mendësi moderne liberale, e cila duke tentuar të “çlirojë” njeriun nga brenga e mëkatit, thotë se përderisa diçka bëhet në fshehtësi, nuk ka arsye të fshihet, sepse kjo qenka mungesë sinqeriteti me vetveten! Por populli ka një fjalë të vjetër të urtë e të vërtetë, që trashëgohet brez pas brezi e që thotë: sheh rrushi rrushin dhe piqet. Dhe sigurisht që e ka për njerëzit, për të treguar se si ata ndikohen nga njëri-tjetri për mirë, ose për keq. Kështu që ai, i cili kryen një mëkat publik mbart jo vetëm barrën e tij personale, por edhe të atyre njerëzve që do ta ndjekin atë në këtë mëkat, koncept mjaft i njohur ky në tekstet islame.

Sot njerëzit e mediave dhe të spektakleve, për qëllime krejt fitimprurëse promovojnë emisione të degjeneruara, ku intimja bëhet publike përmes mediave vizive, ku mëkati është ai që josh njerëzit më së shumti, duke iu nxjerrë kështu njerëzve turpin. Kur njeriu nuk ka turp, mund të bëjë çdo lloj gjëje, -thotë urtësia e trashëguar nga profetët. Dhe emisionet televizive me erotizma publikë, përveç përfitimit material përmes tërheqjes së audiencës sa më të madhe, kanë si pasojë të tyre edhe degjenerimin e publikut, sepse një publik sa më i degjeneruar moral të jetë, aq më i dëshiruar është për të parë vetveten në televizion dhe kështu përfitimi material dhe prishja morale shndërrohen në një rreth vicioz, që riciklon vetveten në trajtën e një vorbulle që thith gjithmonë e më shumë viktima dhe gjeneron gjithmonë e më shumë para për prodhuesit e tyre. Kështu pra, paraja bëhet burim i haramit dhe harami burim i parasë. Një industri e tërë haramesh tashmë prej kohësh është ngritur, me një mori pafund argëtimesh imorale dhe amorale, duke pjellë vazhdimisht forma të reja edhe më të ndyra joshjeje.

Emisionet “Big Brother”, “Përputhen”, “Love Story”, “It’s my love”, “Ishulli i të famshmëve” etj… meritojnë të quhen me plot gojën “Shtëpitë publike mediatike të degjenerimit masiv”. Vetë koncepti i shtëpisë lidhet me mjedisin e ngushtë e intim familjar, ku muret nuk janë vetëm prej guri dhe tulle, por synojnë në radhë të parë të ruajnë privatësinë dhe intimitetin e njerëzve që jetojnë brenda një familjeje. “Shtëpitë publike” dihet që janë vende të shfryrjes seksuale me femra dhe meshkuj të përdalë, që e ofrojnë këtë “shërbim” kundrejt pagesës dhe përgjithësisht nuk i bëjnë publike ato që ndodhin aty. Por ndërkohë, duket se ky emërtim i shkon më shumë për shtat këtyre emisioneve televizive që mbajnë nën vëzhgim me kamera, se çfarë bëjnë disa njerëz të huaj me njëri-tjetrin brenda një mjedisi intim. Ky term në thelb është një oksimoron frazeologjik, që synon të shembë muret e privatësisë dhe intimitetit familjar, deri në intimitetin më skajor njerëzor, siç është ai erotik, duke mos fshehur asgjë para publikut. Ai është një “art skenik” me kosto të lirë dhe fitim të madh parash, është një palo-art që nxit falsitetin, vulgaren, lakuriqësinë, imoralitetin, bullizmin, hipokrizinë, intrigën, dembelizmin, kotësinë, argëtimin e pavlerë, dhe promovon injorancën dhe banalitetin me tërë dimensionin e tij.

Në themel të të gjithë këtij degjenerimi publik mediatik qëndron demagogjia dogmatike që thotë se: nuk mund të jesh modern, i emancipuar, i zhvilluar dhe i kulturuar, e për rrjedhojë edhe i lumtur, nëse nuk çlirohesh nga kufizimet erotike, qofshin këto fetare ose tradicionale konservatore. Çlirimi i erosit -sipas disa filozofëve marksistë të pafe- bën të mundur ecjen përpara të qytetërimit dhe plotësimin e lumturisë. Dhe sigurisht nuk ka mënyrë më të mirë për ta përhapur këtë ideologji shkatërrimtare të familjes dhe moralit shoqëror njerëzor, vetëm se duke prodhuar të tilla programe televizive të ndyra, të cilat do të vijnë duke e shtuar gjithmonë e më shumë dozën e imoralitetit dhe banales në të ardhmen.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re