Partia demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të nisë sa më shpejt punën për blerjen e kamerave të monitorimit që do të vendosen në rreth 5 mijë qendra votimi që ka Shqipëria.

Numri dy i PD Gazment Bardhi i ka dërguar një letër komisionerit shtetëror për zgjedhjet Ilirjan Celibashi ku vë në dukje se monitorimi me kamera i të gjitha qendrave është detyrim i kodit zgjedhor dhe është pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit duke i tërhequr vëmendjen që 5 muaj para zgjedhjeve KQZ nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

 

GAZMENT BARDHI

SEKRETAR I PERGJITHSHEM, PD

“Në këto kushte, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që të marrë të gjitha masat për instalimin dhe përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 prillit, duke miratuar sa më parë aktin normative që e mundëson këtë si dhe duke parashikuar fondet e nevojshme financiare.”

 

Aktualisht sistemi i kamerave është i vendosur vetëm në tavolinën ku numërohen votat, por me ndryshimet në kodin zgjedhor çdo qendër votimi do të monitorohet me kamera, një kosto që nuk do të jetë e vogël pasi janë 5 mijë qendra votimi e minimalisht pajisja e një qendre shkon në 300 euro.

 

Nga ana tjetër KQZ duhet të aplikojë në 25 prill identifikimin biometrik të zgjedhësve, një projekt i cili sipas të dhënave paraprake të marra nga kompanitë e specializuara në këtë fushë mund të shkojë deri në 28 milionë dollarë; duke i bërë kështu zgjedhjet parlamentare më të shtrenjtat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë.

 

Kamerat dhe teknologjia janë kërkuar nga opozita si garanci për të luftuar fenomene si votimi familjar, votimi në emër të personave që nuk jetojnë në Shqipëri apo përdorimi i kartave të identitetit të falsifikuara; por koha e shkurtër që na ndan nga dita e zgjedhjeve duket se ka krijuar shumë dilema nëse teknologjia do të arrijë apo jo te aplikohet në betejën parlamentare të 25 prillit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re