“Kamera është mjeti më i mirë që ngrin momentin dhe gjallëron realitetin”, thoshte dikur publicisti George Bernard Shaw, dhe kjo shprehje i shkon shumë situatave.

Duke e vlerësuar pamjen që shohim në TV, ne kapemi shumë pas ngjarjes dhe harrojmë atë që vrapon për t’i sjellë ato. Historia e sotme ka të bëjë me kameramanin britanik Chris James, i cili me sa duket nuk e ka harruar eksperiencën e tij profesionale që e lidhi me Kosovën.

James kishte dokumentuar me syrin e kamerës gjendjen e rëndë në Kosovën e vitit 1997, duke ndjekur hapat e vendit deri në çlirimin që erdhi pas bombardimeve të NATO-s.

Hapat e tij nuk mbaruan aty për gazetarin e ITV, i cili thotë se nuk kishte pasur nevojë që të lexojë shumë për historinë e shqiptarëve të Kosovës, pasi kishte qenë dëshmitar i saj.

James kujton se i kishte ndjekur hapat e vendit nga “hija në dritë”, dhe se xhirimi i lojës së mbrëmshme në stadiumin britanik St. Mary’s ishte një kënaqësi për të.

Përmes një postimi në rrjete sociale, James dhe kolegu i tij Gabriel Clarke krahasojnë atë që vendi ka arritur: nga dokumentimi i pa censuruar i dhimbjeve, deri te dokumentimi i krenarisë së djemve që u ngritën mbi to.

Është e mahnitshme thonë James dhe Clarke, duke kujtuar se disa prej djemve që shkëlqyen mbrëmë (ndonëse nuk fituan) ende ishin foshnje kur kameramanët e njëjtë dokumentonin dhimbjen që përjetohej në vendlindjen e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re