Rreth 1600 pjesëmarrës nga 400 universitete dhe 38 vende europiane u mblodhën në Tiranë për Kampionatin Europian Universitar të Sporteve Luftarake, një aktivitet që ka sjellë në Shqipëri studentë e sportistë nga vende të ndryshme të Europës.
Përgjatë ditëve të garave, pjesëmarrësit kanë zhvilluar ndeshjet në disiplinat e sporteve luftarake, ndërsa aktiviteti është shoqëruar edhe me shkëmbime kulturore dhe krijimin e miqësive të reja mes të rinjve europianë.
Në një postim, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau përshtypjet e disa prej sportistëve të huaj për qëndrimin e tyre në Tiranë.
Alex, që përfaqëson Shkollën Teknike të Mynihut në taekwondo, tha se ishte hera e parë që vizitonte Tiranën dhe vlerësoi pozitivisht përvojën e tij, duke veçuar mikpritjen e stafit dhe kushtet e qëndrimit.
Ndërsa, Irene Gondou, nga Universiteti i Qipros, e cilësoi Shqipërinë të bukur dhe vlerësoi stafin dhe kushtet e akomodimit.
Dy sportistë nga Universiteti i Teknologjisë Poznań në Poloni, të cilët garuan në karate, u shprehën se qëndrimi në Tiranë kishte qenë një përvojë shumë e mirë, duke vlerësuar veçanërisht mikpritjen, ushqimin dhe shërbimin.
Ndërsa sportistja greke Lubrina Katsara, pjesëmarrëse në garat e karatesë, tha se ishte hera e parë në Tiranë dhe vlerësoi mikpritjen dhe kushtet e qëndrimit.
