Një situatë aspak e këndshme është regjistruar në Maqedonin e Veriut. Teksa kampionati ishte planifikuar të rifillonte mes datave 14 dhe 21 qershor, zhvillimet e disës së sotme e kanë venë ndjeshëm në rrezik fillimin e tij.

Plot 6 futbollistë nga 2 skuadrat shqiptare që marrin pjesë në elitën e futbollit Maqedonas, kanë rezultuar pozitivë me Koronavirus. Bëhet fjalë për Shkëndijën e Tetovës dhe klubin e Renovës. Mësohet se 2 anëtarë janë nga klubi kuqezinj dhe katër nga ai i Renovës. Lajmi është konfirmuar nga Sindikata e Futbollistëve në Maqedoni dhe klubi i Shkëndijës, nëpërmjet postimeve në faqen zyrtare, shkruan Panorama Sport.

“Për këtë shkak, seancat stërvitore të këtyre klubeve janë anuluar. Lojtarët do të vendosen menjëherë në vetizolim dhe karantinë shtëpiake“, shkruan Sindikata e Futbollistëve të Maqedonisë. Ndërkohë që në reagimin zyrtar të Shkëndijës shkruhej:

“Për fat të keq, gjatë ditës së sotme, nga Sindikata e futbollistëve, na kanë njoftuar se dy anëtarë të klubit tonë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Në interes të besueshmërisë së rezultateve, klubi menjëherë ka nisur procedurat për të kryer testimet e dyta të dy anëtarëve që rezultojnë pozitivë.

Duke respektuar instruksionet e organeve kompetente, dy anëtarët me COVID-19 janë izoluar sipas rekomandimeve, ndërsa klubi hapat e radhës do t’i marrë në koordinim me Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe Institutin për Shëndetin Publik“, lexohet në komunikatën e kuqezinjve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re