Rekordmeni i kërcimit për së gjati, Izmir Smajlaj bashkë më trajnerin e tij, njëkohësisht Presidentin e Atletikës, Gjergj Ruli, flasin për ‘Fax Sport’ rreth rrugëtimit të tyre dhe objektivat për të ardhmen. Edhe pse me një sezon të shoqëruar me disa probleme fizike, shkodrani ka qenë në super formë dhe ndihet gati për të gjitha kompeticionet përfshirë këtu edhe Lojërat Olimpike.

“Izmiri ka plotësuar të gjitha objektivat. Pretendon që të jetë në top listën e Lojërave Olipmike Kam besim te Smajlaj. Po sakrifikon shumë dhe meriton që emri tij të shkruhet me gërma të arta”- u shpreh Ruli.

Smajlaj thekson për Fax Sport se medalja më e veçantë për të është ajo e kampionatit Evropian e të cilën e mori në Beograd të Serbisë, ku nuk harroi pa bërë edhe shqiponjën në kryeqytetin serb.

“Medalja me e veçantë është ajo e kampionatit Evropian ne Beograd ku bëra dhe shqiponjën Më herët nuk kisha mbështetje të madhe dhe mendova ta lija këtë sport, por tani janë përmirësuar gjerat Duhet edhe më shumë vëmendje për atletiken. Do merrem me këtë sport deri nga mosha 32-33 vjeçare. Shpresoj që situata në KOKSH të zgjidhet shpejtë, të vijë një president që e do sportin dhe ne të jemi të qetë. Nëse nuk do merresha me atletike do bëhesha futbollist. Shpresoj që Vllaznia të jetë ku e meriton”, theksoi Izmir Smajlaj.

Presidenti i Atletikës thotë se kur sheh Izmirin i vjen në mendje vetja e tij dhe në atë moment nuk i ndal lotët, për arritjet e shkodranit. Ndërsa shton se në Tiranë nuk ka një pistë atletike dhe për këtë ata detyrohen të shkojnë në stadiumin e Elbasanit.

“Më vjen keq që kemi 8 muaj që shohim tallava në KOKSH. Aty nuk ka aq para sa thuhet  Asambleja nuk ishte e jashtëligjshme. Sportistet kështu mund të marrin pjesë në Tokyo pa logon dhe himnin shqiptar. Tirana është i vetmi kryeqytet në bote që s’ka pistë atletike, ndaj duhet të shkojmë në Elbasan. Finalja për ne janë Lojërat Olimpike. Do doja të ndahesha nga atletika kur Izimiri të kërcejë mbi 8.50. Ai është ‘Ferrari’. Kur flas për Izmirin më vjen për të qarë. Kam parë tek ai veten time dhe e dashuroj se është i sinqertë, i veçantë. Në kohën tonë në vitet 80, hanim vetëm çaj me djath, por ka pasur bukurinë e vet përsëri ky sport”- tha Presidenti i Atletikes, Gjergj Ruli.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re