Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha, i ftuar në emisionin “Log.” në Panorama TV ka shpalosur programin e tij.

Ai tha se synimi është që Kamza të bëhet një qytet i jetueshëm për të gjithë, ndërsa si çështje imediate ai tha se është ndërtimi i një unaze të qytetit.
“Kamza është porta hyrëse e veriut dhe sot të gjitha makinat kalojnë mes përmes Kamzës. Kamza e ka nevojën për një unazë, sepse është zona më e populluar dhe për ti kthyer vlerat dhe për të zhvilluar një jetë kulturore në atë mjedis. Është i vetmi qytet që nuk ka një unazë. Këtë e ka imediate.
Kamza nuk ka asnjë park, asnjë kënd lodrash. Ka nevojë për gjelbërim. Gjelbërim i dy lumenjve. Nuk ka një pedonale, ku qytetarët mund të dalin. Ndërtimi i disa këndeve të lojërave. Unë konstatoj dhe ky konstatim është real”, tha Hoxha.
Hoxha deklaroi se investimet që do bëhen qoftë me buxhetin e bashkisë qoftë me buxhetin nga qeveria do të jenë serioze dhe afatgjate.
“Në stafin tim do të ketë urbanistë të shkëlqyer që kanë përvojë dhe ato investime që do bëhen do të jenë seriozë, afatgjatë dhe përtej mandatit tim. Unë nuk ju garantoj si do bëhet kjo rrugë apo sa semaforë do vendosen” tha Arjan Hoxha.
Ndërkohë që Këllici për Tiranën ka synim transportin falas, Veliaj ka mbjelljen e pemëve, Arjan Hoxha u shpreh se qëllimi i tij është që ta bëjë Kamzën qytet.
“Sot Kamza është një fjetore e madhe, përdoret si krah pune për Tiranën”, tha Hoxha
