Debati për kanabisin mjekësor është më shumë politik sesa me ekspertë të fushës. Edhe pse nuk ka një vendim të qartë për këtë çështje, por thjesht një draft, për të cilin edhe vetë Rama tha se do të ketë konsultime me ekspertë, politika ka shprehur qëndrimet e saj.

Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, thotë se nisma e qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor tregon se kryeministri Rama është futur në fushatë.

Në emisionin “Në fokus”, Idrizi tha se njësoj si në vitin 2017, Rama po përpiqet të krijojë në popull idenë e bollëkut. Por në fakt, sipas tij, nga legalizimi i kanabisit do të përfitojnë oligarkët pranë qeverisë.

“Për shkak se e multiiplikoi krizën ekonomike, Ramës i duhet që njësoj si në vitin 2017 të krijojë idenë e bollëkut. I mbani mend avionët që thoshin se ishin mushkonja. Në Itali u bënë me tonelata dhe krimi shqiptar arriti të kalonte nga kanabisi te drogat e forta me tonelata.

Edi Rama për të krijuar idenë e një bollëku krijoi atë ekonominë e rreme të kanabisit. Sot është i detyruar të krijojë një situatë tjetër rozë, duke propozuar legalizimin, a tha se çfarë fitojnë shqiptarët. Do e japë licencën për tre oligarkë që sot i ka bërë gati”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re