Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se një hetues i pavarur special do të hetojë ndërhyrjen e dyshuar kineze në zgjedhjet e tyre të fundit, të cilat u mbajtën në vitin 2019.

 

Hetuesi i emëruar do të shqyrtojë raportet e klasifikuara të zgjedhjeve federale kanadeze dhe do të bëjë rekomandime për zgjedhjet e ardhshme.

 

Udhëheqësit e partive politike rivale kanë bërë thirrje për një hetim publik.

 

Kina ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhje, duke i quajtur pretendimet “thjesht të pabaza”.

 

Vitin e kaluar, mediat lokale raportuan se inteligjenca kanadeze identifikoi një “rrjet klandestin” që mbështeti kandidatët kanadezë në zgjedhjet e fundit.

 

Sipas raportimeve, të paktën 11 kandidatë u mbështetën nga Kina në zgjedhjet federale të vitit 2019.

 

Duke cituar zyrtarë anonim të inteligjencës, Global News raportoi se Pekini kishte dhënë fonde për këta kandidatë dhe se shumë prej tyre kishin pasur këshilltarë kinezë në fushatë.

 

Operacioni, i cili thuhet se u drejtua nga konsullata e Kinës në Toronto, pati për qëllim që të ndikojë në politikën kanadeze.

 

Përpjekja për ndërhyrje besohet të ketë pasur cak të dy partitë kryesore politike – Partinë Liberale të kryeministrit Trudeau dhe partinë opozitare Konservatore.

 

Mbetet ende e paqartë nëse operacioni ishte i suksesshëm./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re