Skip to content

Kancelari austriak nën hetim, akuzohet për korrupsion

Kancelari Austriak

Dyshimet për abuzime fondesh për fushata politike kanë vënë nën hetim kancelarin austriak, Sebastian Kurc.

Autoritetet bastisën të mërkurën zyrat e kancelarit dhe të partisë së tij, duke kërkuar për disqe, servera, celularë dhe kompjutera në kuadër të një hetimi që shtrihet pas në vitin 2016, kur Kurci ishte ministër i Jashtëm i Austrisë.

Zyra e Prokurorit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion dyshon se atëkohë Partia Popullore që ka pushtetin përdori mbi 1 milion euro fonde të Ministrisë së Financave për të publikuar lajme e sondazhe të manipuluara që e influenconin publikun për interes të ish-kryediplomatit Kurc.

Kancelari 35-vjeçar tha se akuzat ndaj tij janë të pabaza dhe akuzoi hetuesit se po i nxjerrin jashtë kontekstit mesazhet private që ai mund të ketë shkëmbyer në vitet e pretenduara nga akuza.

Kurc shtoi se nuk ka prova për përfshirjen e tij personalisht dhe nuk po mendon të japë dorëheqjen.

Agjencia mediatike që fajësohet për shpërndarjen e lajmeve false po ashtu mohoi marrëveshjet e fshehta mes saj dhe Ministrisë austriake të Financave.

Opozita politike deklaroi se hetimet konfirmojnë akuzat për korrupsion në rrethin e ngushtë të kancelarit Kurc, ndërsa pritet a do e futin të Gjelbrit qeverinë në krizë, pasi si pjesë e koalicionit e kanë pasur kusht atë që quajnë “pastërti politike” të kabinetit.