Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka deklaruar se mobilizimi i pjesshëm i ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë është një “akt dëshpërimi”.

Gazetarëve në New York, ku liderët botërorë janë mbledhur në kuadër të seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), kancelari gjerman u tha se “Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë kriminale”.

Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm ushtarak, duke thirrur 300 mijë rezervistë për t’u bashkuar me ushtrinë. Ai pohoi se Rusia do të përdorë “të gjitha mjetet që ka në dispozicion” nëse kërcënohet integriteti i saj territorial, gjë që gjerësisht u interpretua si një paralajmërim bërthamor për Perëndimin.

Kancelari Scholz tha se Putin bëri një gabim serioz duke sulmuar Ukrainën dhe se vendimi i tij i fundit do t’i bëjë gjërat edhe më keq.

“Që në fillim ai plotësisht nënvlerësoi rezistencën e ukrainasve, por edhe unitetin dhe vendosmërinë e miqve të Ukrainës”, tha Scholz.

Ai pretendon se Putin nuk arriti të pushtojë Ukrainën me forcë ushtarake dhe tani po përpiqet të aneksojë pjesë të vendit duke organizuar “referendume të rreme”.

“Këto referendume të rreme nuk do të pranohen kurrë, jo vetëm nga populli ukrainas, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Në botën ku jetojmë, ligji duhet të triumfojë mbi dhunën dhe dhuna nuk mund të jetë më e fuqishme se ligji”, theksoi Scholz.

Dje, rajonet e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia, respektivisht rajonet Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, njoftuan një vendim për të mbajtur referendume për t’u bashkuar me Rusinë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re