Gjermania ka premtuar ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën, por ka përjashtuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të NATO-s për të ndaluar agresionin e Rusisë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se ata duan të gjejnë një zgjidhje diplomatike për konfliktin dhe se do të qëndrojnë në solidaritet me popullin ukrainas.

“Ne po ofrojmë mbështetje financiare, ndihmë humanitare si dhe pajisje ushtarake. Gjermania po jep kontributin e saj këtu dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Scholz.

Por, ai hodhi poshtë thirrjet për përfshirjen e NATO-s në vend duke dërguar forca paqeruajtëse ose duke krijuar një zonë ndalim-fluturimi, siç sugjerohet nga disa politikanë.

“Do të doja të jem shumë i qartë dhe të them se NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në këtë luftë”, theksoi Scholz.

Stoltenberg, nga ana e tij, tha se vendet aleate do të vazhdojnë të ndihmojnë vetëmbrojtjen e Ukrainës, por nuk do të ndërmarrin hapa që mund të shkaktojnë një konflikt më të gjerë.

“NATO ka përgjegjësi të parandalojë që ky konflikt të përshkallëzohet më tej. Kjo do të ishte edhe më e rrezikshme dhe do të shkaktonte më shumë vuajtje, vdekje dhe shkatërrim”, tha Stoltenberg.

Ai i bëri thirrje Kremlinit që menjëherë të ndalojë fushatën ushtarake dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve.

“Kjo është lufta e presidentit Putin. Ai duhet të ndalojë luftën, të tërheq forcat e tij dhe të angazhohet në diplomaci, në mirëbesim”, u shpreh shefi i NATO-s.

Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës, si dhe ka nxitur një largim të kompanive globale nga Rusia.

OKB-ja njofton se të paktën 726 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 1.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ndërkohë që mbi 3.1 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko