Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se përpjekjet ndërmjetësuese të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Turqisë, që e bënë të mundur eksportin e drithërave nga Ukraina, “meritojnë respekt të madh”.

Dje, në adresimin e tij në seancën e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kancelari Scholz tha se edhe Gjermania “mbështet Ukrainën me eksportin e ushqimit”, si dhe shtoi se vendi i tij do të qëndrojë pranë Ukrainës në mënyrë që të përballojë “koston e madhe” për ndërtimin e vendit.

Duke e përshkruar si “imperializëm” luftën ruse kundër Ukrainës, Scholz tha se “Rikthimi i imperializmit nuk është vetëm një fatkeqësi për Evropën, gjithashtu është fatkeqësi për rendin tonë paqësor global, që është antiteza e imperializmit dhe neokolonializmit”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, sipas kancelarit gjerman, do të heqë dorë nga “vullneti dhe ambiciet e tij imperialiste” vetëm nëse e kupton se nuk mund të fitojë.

Scholz tha se presidenti Putin jo vetëm që po shkatërron Ukrainën, por po e shkatërron edhe vendin e tij.

“Kjo është arsyeja pse ne nuk do të pranojmë një paqe të diktuar nga Rusia. Kjo është arsyeja pse ne nuk do të pranojmë asnjë referendum me pretendime dhe kjo është arsyeja pse Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrohet kundër pushtimit rus”, theksoi ai.

Rajonet ukrainase të kontrolluara nga Rusia, respektivisht rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, kanë njoftuar se do të mbajnë referendume për t’u bërë pjesë e Rusisë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re