Mjekër në Indi po kërkojnë masa më të rrepta për të trajtuar ndotjen e ajrit, që besohet se është një nga shkaqet e rritjes së kancerit të mushkërive në vend. Kërkesa vjen në prag të Ditës Botërore të Kancerit të Mushkërive që shënohet ditën e sotme.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), pulmonologu i njohur dhe fitues i shumë çmimeve, Arvind Kumar, themelues i Fondacionit për Kujdesin e Mushkërive, thotë se nëse nuk konsiderohet ndotja e ajrit seriozisht, dekadën e ardhshme do të ketë një epidemi jo vetëm e kancerit të mushkërive, por e të gjitha llojeve të sëmundjeve të mushkërive.

“Ishin sëmundjet e zemrës që po bënin kërdi. Në dy dekadat e ardhshme do të jenë sëmundjet e mushkërive ato që do të bëjnë kërdi”, tha Kumar.
Vitet e fundit, India ka vuajtur nga ndotja e ajrit, me mjekët që kanë frikë se do të përkeqësojnë më tej problemet shëndetësore, përfshirë kancerin e mushkërive.

Tradicionalisht, kanë theksuar mjekët, pacientët që pinë duhan do të diagnostikohen rregullisht me kancer të mushkërive.

Sipas Programit Kombëtar të Regjistrimit të Kancerit, numri i vlerësuar i pacientëve me kancer në Indi në vitin 2020 ishte 1.392.179, duke e renditur këtë vend ndër pesë vendet e para në nivel global.

Kumar, i cili po ashtu është kryetar i Institutit të Kirurgjisë së Gjoksit, Onko-Kirurgjisë së Gjoksit dhe Transplantimit të Mushkërive në Spitalin Medanta, më herët krahasoi të dhënat e pacientëve me kancer të mushkërive nga viti 2012 në vitin 2019 me ato nga viti 1988 deri në vitin 1998.

Sipas studimit të tij, 90 për qind e pacientëve me kancer në vitet 1988-1998 u zbuluan se ishin duhanpirës, duke shtuar se “për habi në studimin e vitit 2019 gjetëm se 50 për qind nuk ishin duhanpirës”.

Dr. D. Bhaera për AA tha se rastet në Indi po rriten, duke e cilësuar atë një problem serioz.

“Ka shumë faktorë përgjegjës për të. Pirja e duhanit është ende shkaku më i zakonshëm i kancerit dhe po, ne e kemi parë që ndodh edhe tek njerëzit që nuk pinë duhan. Disa shkaqe të tjera përfshijnë ekspozimin në punë, ndotjen e ajrit brenda dhe jashtë”, tha Bhaera, duke shtuar se ndotja e ajrit është gjithashtu një “rol i rëndësishëm”.

Sipas analizës ‘Greenpeace’ të Azisë Juglindore, mbi 120.000 persona vdiqën në Indi si rezultat i ndotjes së ajrit dhe problemeve të lidhura me të.

Dr. Sarthak Rastogi, një konsulent pulmonologjik në Mumbai, për AA tha se në Indi dora e ndotjes së ajrit në shkaktimin e kancerit të mushkërive “nuk mund të injorohet”.

“Aktet dhe politikat e ajrit të pastër janë nevoja e orës. Industritë ndotëse duhet të largohen dhe karburant më i pastër duhet të përdoret për djegie. Automjetet hibride ose teknologjia e automjeteve elektrike duhet të shënjestrohet për t’u përhapur masovisht”, tha Rastogi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re