Anëtari i Komisionit të Rithemelimit në PD, Ivi Kaso, në një intervistë për Fax News, ka folur për zgjedhjet lokale të 6 Marsit, ku PD pritet të hyjë e përçarë në garë. Kaso tha se Komisioni i Rithemelimit do të mbajë primaret në datën 30 Janar, ku anëtarësia do të vendosë kandidatët që do të garojnë në datën 6 Mars.
‘Komisioni i Rithemelimit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ta çuar partinë drejt zgjedhjeve lokale, është hapur gara për zgjedhjen e kandidatëve, përmes procesit të primareve. Ka nisur procesi i primareve, që do të mbahet në datën 30 Janar, ftohen anëtarët që të përzgjedhin kandidatët e tyre’, tha Kaso.
Në lidhje me deklaratat e Jorida Tabakut, se PD e Lulzim Bashës ka gati emrat për të hyrë në garë, Kaso u shpreh:
Dua të theksoj që KQZ nuk ka asnjë tagër që të bëjë arbitrin mes personaliteteve të ndryshme të PD, këtë gjë e kanë vendosur demokratët me votën e tyre. Ka vetëm një PD, që është tregues i qartë i vullnetit të anëtarësisë, që në mënyrë masive ka marrë pjesë në Kuvend, dhe aktualisht është Komisioni i Rithemelimit i vetmi organ drejtues.
Dua të siguroj demokratët që kandidatët e zgjedhur në primare, do të jenë pjesë e fletës së votimit në datën 6 Mars, do të maksimalizohet vullneti i demokratëve. Gjykata duhet të kishte proceduar me kërkesën tonë, për regjistrimin e statutit të ri të Partisë Demokratike, Gjykata është në tejkalim të afateve ligjore. Do të përputhet rruga ligjore në përputhje me Kodin Zgjedhor.
Ndërkohë që në lidhje me koalicionet e mundshme, Kaso u shpreh: Është prioritet i PD dhe Komisionit të Rithemelimit që të mobilizojë një front sa më të gjerë opozitarë, në mënyrë që tiu sigurojë kandidatëve mbështetjen më të gjerë të mundshme. Për këtë arsye ka filluar një proces intesiv negociatash.
…
/faxweb
