Votën kundër ish liderit të PD, kryeministri Rama e konsideron si mëshirë për të.

 

Në fjalën e tij në Berat, kryesocialisti ka vijuar akuzat e tij ndaj dyshes Berisha-Meta, për të cilët shprehet se i ka bërë bashkë frika nga drejtësia.

 

Kryeministri shprehet se drejtësia nuk do të votojë, ndërsa thekson se dy aleatët e 14 majit, Berisha dhe Meta, janë faqe e zezë e Shqipërisë.

 

“Ky faqja e zezë në “14 Maj” ka sjellë kandidatë. Këta kandidatë që kanë pranuar të përfaqësohen nga faqia e zezë, kanë turpëruar veten e vet, familjen dhe paraardhësit e tyre.

 

Nëse keni pak mëshirë për atë “gërdallë” 80 vjeçare, që vjen vërdall si një i marrë i fshatit, nuk do e votonin kurrë që ta ndihmonin të rrinte në shpi.

 

Ju këtu, e keni ndjerë sa e zezë ishte ajo faqe që kur dukej e bardhë si bora, por e kam edhe për atë pakicën.

 

Vijmë te Likja. Ça borxhi i kanë në Skrapar Likes, që t’i çojë atje faqen e zezë dhe t’i thotë votojeni. Kur Skrapari e ka votuar kur e ka parë si alternative të së majtës progresiste. Tani nuk mund të vazhdojë kjo punë. Çdo gjë kemi bërë unë e të tjerë për ta sjellë në rrugë të mbarë, por nuk është arritur.

 

Tjetra, ata i bashkon një tmerr i madh, sepse drejtësia vonon, por nuk harron. Drejtësia tek ne ka vonuar kaq shumë sa na ka bërë të dyshojmë se po bëhet me qëllim, por ama drejtësia e vonuar në Shqipëria ka akoma edhe më pak shanse të harrojë, për ata që na tregonte ofshoret. Po nuk qe marrë vetë me drogë, nuk i thua dot tjetrit trafikant, po nuk pate vrarë vetë, nuk i thua dot tjetrit vrasës, ose nëse si ke bërë, je në gjendje t’i bësh”, tha Rama.

 

Rama nuk ka kursyer akuzat as ndaj kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa kërkon që të votëbesohen kandidatët e tij.

 

“Këta kandidatët e faqes së zezë dhe Like Floririt janë si ata violinistët që i binin, kur po binte anija poshtë.

 

Në 14 maj, vota është për të marrë në punë, njeriun që duhet t’u shërbejë të gjithëve në 4 vitet e ardhshme. Tani këta që mendojnë mbrapsht, prova është para syve”, thekson ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re