Në një situatë krejt ndryshe nga vendoret e 2019-ës ku Partia Socialiste shkoi e vetme dhe i mori ato pasi kundërshtari mungoi, për lokalet e 2023-it pyetja është se me cilët nga kryebashkiakët Edi Rama do të kërkojë fitoren ku përballë ka dyshen Sali Berisha dhe Ilir Meta.

 

Pasi shkartisi drejtuesit politik në 12 qarqe, rifreskoi 61 kryetarët e degëve të PS dhe kritikoi të zgjedhurit e tij, kryesocialistit i duhet të vendosë nëse elektoratit do t’i kërkojë votën më së shumti me emra të rinj apo e kundërta, me ata që po udhëheqin punët vendore prej një apo disa mandatesh.

 

Aristir Lumezi arsyeton se kriteri që do të udhëheqë Edi Ramën është pëlqyeshmeria e dalë nga sondazhet e bëra nga vetë socialistët.

 

 

ARISTIR LUMEZI

 

KRYEREDAKTOR I “PANORAMA”

 

Edi Rama ecën përmes sondazheve.Ai ka sondazhet e veta për secilin kryebashkiak, për të parë sa i mbështetur është në komunitetin ku votohet, sa të pakënaqur janë njerëzit në atë komunitet dhe mbi bazën e ketyre vendos kandidatura dhe bën sondazhe mbi emrat e mundëshëm që mund të kandidojnë apo rivalizojnë kryebashkiakët aktual.

 

 

EDLIRA GJONI

 

ANALISTE

 

Dy janë risitë që unë pres, se pari do të kemi më shumë gra kandidate dhe së dyti emra të rinj në momentet e fundit, atëherë kur ne nuk e presim.

 

E dhëna si kryebashkiakë të kallëzuar penalisht në SPAK për atë që njihet si afera e inceneratorëve për Edlira Gjonin nuk do të jenë pengesë për rikonfirmimin e tyre.

 

EDLIRA GJONI

 

ANALISTE

 

Nuk pres që të ketë zëvendësime, në qoftë se i ka pëlqyer, është komod, ai do të vijojë me ta deri sa drejtësia të jetë ajo që flet.

 

Kurioze është Vlora dhe Himara. E para sepse Dritan Leli është përjashtuar nga Partia Socialiste dhe e dyta për shkak se në të kaluarën është bërë mollë sherri mes Shqipërisë dhe Greqisë.

 

EDLIRA GJONI

 

ANALISTE

 

Vlora nuk ka pasur kurrë një kryebashkiake femër, unë pres të kandidojë një emër suprizues. Ky është ndryshimi i vetëm që mund të sjellë.

 

ARISTIR LUMEZI

 

KRYEREDAKTOR I “PANORAMA”

 

Ka një konsum të Goros. Nuk besoj se do të jetë një kompromis me PBDNJ. Z. Rama do të ketë një kandidat të tijin, gjithmonë për të ruajtur balancën me Greqinë do të ketë edhe miratimin e Greqisë për atë kandidat.

 

Me përjashtim të Shkodrës, që mbetet bashkia që zor se do të vishet me ngjyrën e “Rilindjes” në të tjerat që njihen si bastione të së djathtës kryesisht në veri të vendit, sipas Lumezit dhe Gjonit nuk do të përsëritet rezultati i vendoreve para 2019-ës

 

ARISTIR LUMEZI

 

KRYEREDAKTOR I “PANORAMA”

 

Ky elektorat donte apo s’donte e provoi PS ne drejtim të bashkive. Kam idenë që do të ketë një lloj ç’balancimi të atyre bastioneve.

 

EDLIRA GJONI

 

ANALISTE

 

Demografia e Shqipërisë ka ndryshuar, kemi largimet masive, edhe nëse nuk kanë ikur jashtë ata njerëz kanë ardhur në Tiranë, kështu që kanë mbetur pak votues dhe aq më tepër votues të PD, pasi prej 6 vitesh nuk u shërben më, përkundrazi e ka bërë konfuz votuesin e saj.

 

Shtatë muaj para zgjedhjeve emrat e përmendur publikisht për t’u rikandiduar janë kryebashkiakët e Tiranës, Lezhës, Dibrës apo Cërrikut. Po aq pritet edhe për disa prej kryetarëve të dalë nga vendoret e pjesshme të 6 marsit. Por deri sa Edi Rama të thotë fjalën e fundit, çdo emër i përmenduar mbetet thjesht i përmendur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re