Ilir Meta gjatë një aktiviteti në Durrës është pyetur në lidhje me deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila pyeti 6 kandiatët për kryetar bashkie se cfarë i ofrojnë shqiptarëve, kur mbështetësi i tyre është i korruptuar.

Meta u shpreh se qytetarët në 6 bashkitë e vendit  do të zgjedhin me vullnetin e lirë kandidatët më me integritet që garantojnë përkushtim ndaj komunitetit.

“Unë jam i bindur që qytetarët e Durrësit, por edhe të 5 bashkive të tjera do të zgjedhin me vullnetin e lire kandidatët më me integritet që garantojnë përkushtim ndaj komunitetit dhe një përfshirë sa më të gjerë  të tij për të përmirësuar  qeverisjen vendore.

U takon vetëm qytetarëve të vendosin për të ardhmen e tyre dhe ajo që ne të gjithë duhet të kërkojmë është një proces sa më demokratik, ballafaqim idesh dhe programesh dhe në fund të fitojë vullneti i qytetarëve dhe të fitojnë kandidatët më me integritet”, tha Meta.

Ndërsa i pyetur për hetimin e inceneratorëve, Meta u shpreh se i takon drejtësisë që të vendosë për këtë çështje.

“Është përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë që të flasin për këtë çështje mbi bazën e fakteve dhe provave për të rritur besimin dhe për të parandaluar abuzimet e rënda me taksat e qytetareve dhe financave publike dhe për këtë kërkohet sa më shumë efektivitet”, shtoi Meta.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re