Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” prezantoi sot kandidatin e saj për Bashkinë e Shkodrës Bardh Spahia.

 

Gjatë fjalës së tij, Spahia tha se dera e bashkisë do të jetë e hapur për çdo qytetar të Shkodrës, praktikë që e ka aplikuar edhe gjatë profesionit të tij si mjek.

 

Mes të tjerash ai theksoi se askush nuk do t’i ndalë demokratët në rrugën kundër të keqës që sipas tij, ka përfshirë vendin. Spahia i quajti zgjedhjet e 6 Marsit një referendum.

 

“Të nderuar deputetë, miq , pjesëmarrës dhe demokratë që sot jeni këtu si shtyllat më të forta të ‘Shtëpisë tonë të irisë’. 6 marsi është më shume se zgjedhje lokale, 6 marsi është më shumë se zgjedhje parlamentare. 6 Marsi është referendum dhe Shkodra duhet të çohet në këmbë e gjitha pa dallim .

Le ta konsiderojmë këtë misionin tonë të përbashkët. Unë jam këtu sot sepse shumë njerëz më kanë besuar dhe më kanë përkrahur, jam këtu pas një manifestimi të jashtëzakonshëm demokratik të votës së lirë së Partisë Demokratike.

Sot dua të garantoj të gjithë demokratët se askush nuk do të na ndalë ne rrugën tonë të drejtë për të patur një shtëpi dinjitoze. Një shtëpi që nuk bën pazare me sakrificën e demokratëve. Askush nuk mund të na përçajë në rrugën tonë drejt triumfit mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer vendin.

Qytetarëve të Shkodrës dua t’ju garantoj se jam më i motivuar se kurrë, nga dëshira juaj e fortë për të pasur një qeverisje të mirë për Shkodrën”, u shpreh Spahia.

 

E pranishme në takim është edhe Voltana Ademi, e cila nuk pranoi të merrte pjesë si kandidate në primaret e organizuara nga mbështetësit e Berishës për të nxjerrë kandidatin e tyre në zgjedhjet e 6 marsit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re