Një nga partitë më të përfolura në këto zgjedhje është ajo Social Demokrate për shkak të deklaratave që ka bërë ambasadorja amerikane Yuri Kim lidhur me kryetarin e kësaj partie Tom Doshi.

E pyetur nëse do ta penalizojnë PSD-në këto deklarata, kandidatja e kësaj partie në Qarkun e Tiranës, Uarda Celami u shpreh se “nuk ka asnjë ligj që cënon Doshin për të qenë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit”, ndërkohë që shtoi se Doshi është pro amerikan.

Mendoni se do t’ju penalizojë fakti që partia për të cilën ju kandidoni është stigmatizuar për shkak të deklaratave që ka bërë ambasadorja amerikane lidhur me zotin Doshi?

Celami: Në radhë të parë dua ta nis me kryetarin e partisë i cili është i pari. Nuk ka asnjë ligj që cënon Doshin për të qenë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit. Më duhet të ritheksoj duke qenë se vij nga fusha e diplomacisë, se Doshi është pro amerikan. Unë si Uarda nuk penalizohem aspak. Dua të them se ne kemi partneritet me SHBA-në, në fusha me interes të ndërsjellë. Çdo reformë që ka nisur në Shqipëri dhe është mbështetur qoftë nga BE qoftë nga SHBA është shumë pozitive dhe ne jemi shumë pro. Lista ka kandidatë që janë me integritet dhe kjo është frymë që nisi nga Zoti Doshi.

Ju vini nga një përvojë diplomatike dhe dini ta dëshifroni më mirë gjuhën e ndërkombëtarëve. Apeli ka qenë vazhdimisht për lista të pastra, por si e shpjegoni që ky një shqetësim vjen më së shumti nga selia e SHBA-së dhe jo Bashkimi Europian?

Celami: Jo nuk mendoj se qëndron në këtë mënyrë. Një nga 5 prioritetet e anëtarësisë së Shqipërisë në BE është lufta kundër korrupsionit, Vettingu. BE ka folur për lista të pastra për Shqipërinë, ndërkohë unë di të them që kandidatët tanë janë miratuar dhe janë konform ligjit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re