Kandidati për kryetar për Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli u ka bërë thirrje për mbështetje të gjithë demokratëve për zgjedhjet e 13 qershorit.

Përmes një video-mesazhi të postuar në rrjetet sociale. Kadilli shprehet se mbështetja e demokratëve duhet për të kapërcyer kohën e tronditjes dhe hutimit. Ai thekson se ata duhet të ndahen nga rruga e vjetër.

“Demokratë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, kohët e vështira sjellin edhe mundësi të mëdha. Le t’i kapërcejmë tronditjen dhe hutimin. Të punojmë bashkë për tu ringritur. Me një projekt të ri, me një manifest politik të ri.

Ringritja kalon nëpër rrugën e vështirë të një projekti të ri. Le të ndahemi nga rruga e vjetër.

Ti demokrat, bëje partinë tënde, merr përgjegjësi, bëje vet karrierën tënde, zgjidhi vet përfaqësuesit e tu. Për veten tënde për të ardhmen tënde.

Në një PD që fton, në një PD që bashkon, Unë ju ftoj të punojmë bashkë për një parti të ndryshimit, një PD të së ardhmes, një Shqipëri të mijëvjecarit!

Demokrat – Behu Zot i Fatit Tënd!”, shprehet Kadilli.

Mesazhi i Kadillit vjen disa ditë larg zgjedhjeve në Partinë Demokratike.

75 mijë demokratë pritet ti drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri. Në garë është kryetari aktual Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Deri më tani surpriza është Agron Shehaj, i cili e deklaroi kandidimin pak para skadimit të afatit zyrtar për të marrë pjesë në garë.

Si e sheh publiku? Perceptimi i deritanishëm në media dhe debate televizive është se nga procesi në PD nuk do të ketë surpriza dhe se Lulzim Basha do të rikonfirmohet, por pritet data 13 qershor për të parë çfarë do të ndodhë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re