Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka nisur një shkresë Këshillit të Ministrave, ku i kërkon që të shtojë si zë në buxhet koston që do të ketë identifikimi biometrik i qytetarëve në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të ardhshëm.

Në dokumentin që KQZ i ka dërguar Këshillit të Ministrave thuhet se kostoja e identifikimit biometrik në zgjedhjeve është rreth 2.1 miliardë lekë.

“Buxheti i miratuar për zgjedhje në shumën 1 miliardë lekë është i domosdoshëm për realizimin e procesit zgjedhor (pagesë komisionerësh, bazë materiale dhe shërbime zgjedhore) dhe nuk mund të angazhohet te ky projekt.

Kërkojmë ndërhyrjen tuaj emergjente, për vënien në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të fondeve të domosdoshme ”Për implementimin e projektit të identifikimit elektronik të zgjedhësve për zgjedhjet e datës 25 Prill 2021″, në shumë totale 2.112.304.484 lekë”, thuhet në shkresën që KQZ i ka dërguar Këshillit të Ministrave.

Procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do të kryejë identifikimin biometrik mbetet ende pezull, për shkak se 6 kompanitë që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e garës, kanë paraqitur një ofertë shumë të lartë financiare, në krahasim me atë që është parashikuar nga ekspertët e KQZ-së.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re