Një protestë është zhvilluar pasditen e sotme në zonën e Xhamllikut në Tiranë, nga disa banorë të një pallati në hyrje të së cilit po ndërtohet një lokal pa pyetur ata.

Banorët pretendojnë se për lejimin e ndërtimit të këtij lokali kanë firmosur katër persona të cilët nuk janë banorë të lokalit.

Problemi qëndron te ndërhyrja në strukturën e pallatit, i cili është një nga të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, çka ka shkaktuar frikë te banorët e pallatit.

“Nuk po protestojmëe sot, u bëmë muaj e muaj. Absolutisht nuk na kanë pyetur. Duhet të bëjë një verifikim kjo zonja që ka firmosur. Kërkuam një takim me bashkinë e Tiranës. Momentalisht tha se ne mund të bëjmë vetëm pezullim të përkohshëm. Moj zonjë t’i ke katër veta që nuk janë banorë te pallatit që kanë firmosur, si është lëshuar dokumenti. Me pak fjalë këta thonë ta shtyjmë sa ta shtyjmë“, tha ai.

Një zonjë e pranishme në protestë thotë se ka frikë për fëmijët, prandaj dhe punimet duhet të pezullohen.

“Të pezullohet dhe të mos bëhet më. Prandaj shkuam sot dhe kërkuam takim me Erion Veliajn. Shiko këtu si është dërmuar. Më kryesorja është jeta e fëmijëve. Fëmija im kalon me frikë, thotë nëna është bërë gropë këtu“, tha ajo.

Sipas një tjetër banori, ana konstruktive e pallatit ka ndryshuar dhe për këtë nuk e vret mendjen as Policia dhe as IKMT.

“Pallati mbahet në konstrukt. Ana konstruktive ka lëvizur. Kanë lëvizur mure. As Policia dhe as IKMT nuk e vrasin mendjen fare. Të gjithë banorët që janë këtu, ne jemi në privatizëm. Ky nuk është sheshi i një personi, është shesh i përbashkët. Shikoni çfarë ka bërë. Na ka futur në një skutë aty. Ato katër persona që ajo notere i ka marrë certifikatat dhe bashkia i mban për të justifikuar këtë… Ne nuk jemi noter por kuptojmë mirë”, u shpreh banori.

Ndërsa një tjetër protestues, banor i pallatit, thotë se i është nxirë jeta dhe se ky problem vijon prej muajsh.

“Na kanë nxi jetën, kemi muaj të tëra me ktë. Sot kemi marrë një sinjal të mirë nga ajo që ka lëshuar lejen. Por ky është vetëm një sinjal, pezullim i përkohsshëm. Katër veta që nuk janë banorë aty kanë dhënë firmën. Shpresojmë që nga bashkia t’i japin zgjidhje përfundimtare. Si mund të ndërtosh ti nën ballkon tim. Më cënon sigurinë. Me firmën e saj merr në qafë njerëzit, jo 1 por jemi shumë. Na thonë ik sqaroje punën me të. Erdhi IKMT i pezulloi, por do punosh tha. Dua ta takoj njëherë personalisht dhe t’i them të mos i bëj këto gjëra sepse merr në qafë njerëzit. Të mos lëshojë firma pa parë vendin. Do mundohem ta takoj”, theksoi ai.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re