Brenda vitit 2021, Berati do të ketë 24 orë ujë të pijshëm jo vetëm në zonën urbane, ku po punohet pa pushim për mbylljen e fazës 3 dhe të fundit për furnizimin me ujë pandërprerje të krejt qytetit, po edhe në zonat rurale të Bashkisë Berat

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në ujësjellësin e Beratit, ku brenda vitit 2021 zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë të pijshëm.

“Ky është zotimi i marrë në 2013 për të zgjidhur përfundimisht problemin me ujë të pijshëm. Ajo që është themelore për ta kuptuar ata që nuk duan të kuptojnë dhe për ta kuptuar të gjithë është se nuk fillon një punë kur shikon fadromën, por puna fillon kur fillojnë analizat, studimet, projektet, pastaj të gjitha proceset e tjera”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “për më tepër ne na është dashur të bëjmë një punë të jashtëzakonshme për të larë gropat e borxheve të mëdha në mandatin e parë”.

“Jemi këtu për t’u thënë të gjithëve nga Malësia e Madhe deri poshtë në Sarandë e Konispol që çështja e ujit të pijshëm 24 orë përfundimisht është e zgjidhur në 2021. Pse kaq kohë? Sepse kusuret e dekadave të tëra janë kusure të të tjerëve para nesh. Ne përgjigjemi për kusuret tona. Kusureve të të tjerëve nuk kemi çfarë t’i bëjmë”, tha Rama.

Zona e Beratit ka vuajtur prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm me orare të kufizuara, kryesisht gjatë periudhës së verës. Në këtë zonë investimet janë bërë në vitet 1960-1970 dhe prej atëherë nuk është vënë më dorë.

Ndërkohë investimi përfshin 54 km rrjet të brendshëm dhe 1.9 km linjë transmetimi. Gjithashtu do të bëhet edhe zëvendësimi rrënjësor i rrjetit të kanalizimeve me gati 14 km.

Brenda vitit 2021 gjithë qyteti i Beratit do të ketë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.

Po ashtu, me Bankën Gjermane për Zhvillim është nënshkruar edhe marrëveshja dhe brenda vitit 2021 nis puna për ndërtuar impiantin e trajtimit të ujërave të ndotur dhe për të mbyllur plotësisht rrjetin e kanalizimeve të Beratit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re