Skip to content

Kaos në aeroportin e Brindizit, Wizz Air devijon fluturimin, pasagjerët në revoltë thyejnë portat

640 0 695e471b4ac8e

Kaos në aeroportin e Brindisit në Itali. 400 pasagjerë janë në revoltë, pasi dy fluturime të Wizz Air që ishin nisur nga Tirana, devijuan për shkak të motit të keq.

Dy avionët, njëri i nisur nga Bolonja dhe tjetri nga Bergamo për në Tiranë, kanë bërë një ulje emergjente në aeroportin e Salentos, ku kanë mbërritur gjatë natës rreth orës 3.

Sipas informacioneve të para, avionët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në hapësirën ajrore shqiptare, në pritje për të kuptuar nëse mund të kryhej ulja në Rinas, por më pas kanë devijuar drejt aeroportit të Brindisit, me karburantin drejt përfundimit.

Situata në Brindisi është tensionuar në orët e para të mëngjesit, kur pasagjerët e devijuar, të cilët sipas informacioneve të aeroportit janë asistuar menjëherë, kanë thyer portat (gate) dhe janë futur në pistë, duke kërkuar përgjigje të menjëhershme nga kompania ajrore. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë, por sipas informacioneve, të paktën 100 protestues ndodhen ende në pistë.

Aeroporti i Pulias i ka kërkuar kompanisë ajrore udhëzime se si të veprohet dhe është aktivizuar një plan për menaxhimin e emergjencës. Në veçanti, janë vënë në dispozicion autobusë zëvendësues, të cilët duhet të transportojnë pasagjerët drejt vendeve të nisjes, pra Bergamos dhe Bolonjës. Por protesta vijon ende, me pasagjerët që kërkojnë të dërgohen në Tiranë. Megjithatë, duhet theksuar se aeroporti i Salentos vazhdon të operojë normalisht, pavarësisht protestës që është ende në zhvillim.