Një situatë kaotike është krijuar në pikën e kalimit kufitar në Kakavije. Mbi 10 kilometra është radha nga automjetet që presin të kalojnë kufirin drejt tokës greke.

Qytetaret shprehen se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë,ku radha e makinave shkon deri në afërsi të fshatit Jorgucat. Në mesin e personave në radhë janë edhe gra shtatzëna e fëmijë të vegjël. Mosngrënia për orë të tëra dhe temperaturat e larta deri në 40 gradë Celsius kanë rënduar edhe më shumë orët e gjata të pritjes.

Vizion Plus kontaktoi me policinë e shtetit e cila konfirmoi se nga pala shqiptare janë shtuar sportelet, por problemi mbetet tek masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësie greke për shkak të COVID-19. Situata e pazakontë ka nisur nga fakti që pas datës 16 gusht kushdo që shkel në Greqi do të karantinohet për 7 ditë, gjë që ka bërë që të gjithë shqiptarët që jetojnë atje të dynden për të kaluar kufirin para kësaj date.

Qytetarët po presin në radhë që prej te enjtes për shkak të masave të marra nga autoritetet e vendit fqinj me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-it, ku një prej tyre është bërja e tamponit, gjë që ka shkaktuar grumbullime të mëdha njerëzish.

Temperaturat e larta kane krijuar shqetësime tek qytetarët dhe për këtë është dashur ndihma e spitalit të Gjirokastrës. Pika e kalimit të Kakavijës funksionon vetëm gjatë ditës, pasi nga ora 22:00 deri në orën 06:00 në hyrje dhe në dalje të Greqisë janë të mbyllura. Ndërsa nga 16 gushti, çdo shtetas që do të hyjë në territorin grek përmes këtyre dy pikave kufitare do të karantinohet për 7 ditë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re