Protestuesit janë zhvendosur drejt sheshit Skënderbej, ku po tentojnë t’i vendosin flakën pemës së Krishtlindjeve të vendosur nga Bashkia Tiranë për festat e fundvitit.
Efektivët policor kanë hedhur gaz lotsjellës nga taraca e Bashkisë për të bërë të mundur shpërndarjen e turmës.
Protesta ka filluar që prej orës 16:30 dhe është shoqëruar me tensione të shumta mes efektivëve policor dhe të rinjve, të cilët tentuan disa herë të mësynin në ambientet e kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Si pasojë e konfrontimit fizik kanë mbetur të plagosur disa efektiv dhe protestues, mes tyre dhe një gazetar.
Protesta e sotme u thirr nga shumë qytetarë dhe aktorë të shoqërisë civile për të protestuar pas vrasjes nga policia të të riut Klodian Rasha mëngjesin e djeshëm.
Një efektiv policie e qëlloi për vdekje 25-vjeçarin 50 metra larg oborrit të shtëpisë së tij, pasi i riu nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. Rasha gjeti vdekjen nga 2 plumba pas shpine, teksa përpiqej të largohej me shpejtësi, ndërsa efektivi që kreu vrasjen u arrestua në orët e mëvonshme. Në deklaratën që ai dha para SHÇBA u shpreh se ‘iu duk se i riu kishte armë’.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, ndërsa hedhin vazhdimisht parulla kundër qeverisë.
/faxweb