VALENTINA MADANI/ Parlamenti miratoi dje mes tymueseve dhe kapsollave buxhetin dhe paketën fiskale nen për nen dhe në tërësi.
Seanca zgjati 7 minuta dhe për shkak të protestës së opozitës, buxheti kaloi pa diskutime. Të vetmit që dolën kundër protestës së opozitës dhe morën pjesë në votim ishin 4 deputetët që njohin kryetar Lulzim Bashën. Flutura Açka, Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe Selaudin Jakupllari votuan kundër buxhetit.
Në kushtet kur Sali Berisha, Gazment Bardhi e Flamur Noka mungonin në seancë për shkak se janë përjashtuar, protesta e opozitës u udhëhoq nga deputetët Ervin Salianji, Nallbati e Dogjani. Këtë të fundit e përjashtoi nga seanca kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Vendimi erdhi me pretendimin se Asllan Dogjani hodhi tymuese në Kuvend gjatë seancës.
Por pavarësisht kaosit, flakës e tymit të krijuar nga flakadanët, karrigeve të vendosur si barrikadë në mesin e sallës, goditjeve të tavolinave me grushte, socialistët ngritën kartonët jeshil dhe miratuan paketën fiskale dhe buxhetin e 2024 pa asnjë diskutim, ndërsa rrëzuan amendimet e bëra nga demokrati Bujar Leskaj. Përplasja mes Gardës dhe deputetëve demokratë që nuk kishin në gjirin e tyre seancën e djeshme as kryedemokratin Berisha, as kreun e grupit Bardhi, si dhe 4 deputetë të tjerë të përjashtuar për 10 ditë, nisi që në hyrje të Parlamentin dhe u zhvillua dhe përpara nisjes zyrtare të seancës.
Pas përfundimit të seancës, përfaqësuese të Byrosë së Hetimit dhe Komisariatit Nr. 1 e kanë kthyer sallën e seancave në një skenë krimi, duke kërkuar për prova që i vesh deputetët e opozitës me përgjegjësi penale, siç deklaroi të hënën ministri i Brendshëm, i cili kujtoi se shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, dënohen deri në 5 vite burg.
REAGIMI
Pavarësisht ndryshimit të rregullores nga PS, sipas të cilës deputetët rrezikojnë përjashtim deri në 60 ditë lideri demokrat Sali Berisha nuk tërhiqet nga aksioni opozitar për bllokimin e seancave parlamentare. Berisha u shpreh se deputetët e opozitës do të qëndrojnë me të gjithë qëndresën e tyre, duke theksuar se kjo është betejë pa kthim. theksoi se gjithnjë e më shumë po zien Shqipëria kundër këtij regjimi.
“Këta përdorin edhe fatkeqësitë për të fshehur vjedhjet që kanë bërë vetë dhe shkatërrimin që i bënë sistemit të arsimit”, theksoi Berisha.
Sipas tij, opozita po u tregon shqiptarëve fytyrën e vërtetë të regjimit.
“Deputetët e opozitës do qëndrojnë me të gjithë qëndresën e tyre. Kjo është betejë pa kthim. Beteja pa kthim është beteja pa kthim. Gjithnjë e më shumë po zien Shqipëria kundër këtij regjimi. Dhe ne gjithmonë e më shumë po u dëshmojmë shqiptarëve, fytyrën e vërtetë. Por unë ftoj sot çdo prind, ftoj çdo nënë, çdo baba që çon fëmijët në shkollë, por edhe çdo shqiptar atdhetar që beson se ky vend zhvillohet nëpërmjet dijes, aftësimit të fëmijëve të këtij vendi, të shohë këtë tabelë, se ku e ka katandisur shkollën dhe arsimin, regjimi i drogës, vjedhjes dhe krimit të Edi Ramës”, deklaroi kreu demokrat.
Në një konferencë për mediet, Berisha deklaroi se Parlamenti nuk ekziston, pasi nuk funksionon mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës. Ai e quan një sukses bojkotimin e punës së Parlamentit nga deputetët opozitarë, të cilët sërish sot hodhën tymuese dhe kapsolla brenda sallës së Kuvendit.
“Mosbindja civile e grupit të deputetëve të PD, u dëshmua mjeti më eficient apo ndër më eficientët në histori, de facto përmbysi parlamentin e drogës, krimit dhe korrupsionit. Pra, ky përbën në historinë e revolucioneve demokratike, ky përbën një nga sukseset më të mëdha”, deklaroi kreu demokrat.
Ish-kryeministri përmendi se me mosbindjen e tyre, i kanë prerë zërin Kuvendit.
“Tani kohërat i kanë të shkurtra, maksimumi 7 minuta, pa zë. Një parlament pa zë. Një parlament automatësh, që ngrenë dhe ulin kartonët. Nëse demokratët nuk do të ishin në betejë të mosbindjes civile gjer në mesnatë do vazhdonin diskutimet me në krye Edi Ramën. Të paktën nuk ndodhi më se ai nuk ekziston më ai parlament”, u shpreh Sali Berisha. Kreu i opozitës paralajmëroi se deputetët e opozitës do qëndrojnë me të gjithë qëndresën e tyre dhe kjo është një betejë pa kthim.