Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi iu është drejtuar me një shkresë zyrtare ambasadave të vendosura në Tiranë dhe Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Duke iu referuar zhvillimeve të seancës plenare të kësaj të hëne, Bardhi shprehet se veprimet e kryeministrin Rama do t’i kishte zili edhe diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong.

 

“Përmes mohimit të të drejtës kushtetuese për kontroll parlamentar të Qeverisë, mosshqyrtimit të projektligjeve të deputetëve të opozitës, mohimit të të drejtës për të marrë përgjigje nga organet ekzekutive për çështje në interes të qytetarëve, apo mohimit të të drejtës për të caktuar ajo përfaqësuesit e vet në komisionet e posaçme parlamentare, praktikisht mazhoranca juaj po tenton të krijojë një Parlament njëpartiak, antidemokratik, autoritar dhe që dhunon hapur të drejtat e pakicës parlamentare” – shkruan Bardhi.

 

Ai ka akuzuar mazhorancën se po shkel të drejtat legjitime e demokratike të opozitës, duke rrëzuar kërkesat e saj për ngritjen e Komisioneve Hetimorë.

 

“Intimidimi me forca sigurie i deputetëve të opozitës, është një veprim që edhe Koreja e Veriut dhe vetë Kim Jong-un do ta kishte zili. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duhet të përafrohet me standartet e vendeve të BE-së dhe jo me standartet e diktatorit të Koresë së Veriut! Në çdo rast më lejoni që në emër të deputetëve të opozitës t’ju siguroj ju dhe udhëheqësin tuaj shpirtëror Edi Rama, që do të mbeteni përjetësisht dhe në tentativë vetëm një kopje e shëmtuar dhe në miniaturë e Kim Jong-ut”, përfundon ai.

 

Opozita bllokoi diskutimet mbi projektbuxhetin për vitin 2024, ndërsa mazhoranca e votoi atë në një seancë që zgjati vetëm 4 minuta. Kaosi i shkaktuar nga demokratët pretendohet se vjen si shenjë protestë për mosrealizimin e kërkesave të tyre nga mazhoranca.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re