Sesioni i ri parlamentar rinisi aty ku përfundoi i vjetri, mes kaoist dhe bilbilave, duke bërë që seanca të mos zgjasë më shumë se 18 minuta.

Lidhur me sjelljen e deputetëve të opozitës në parlament ka reaguar edhe deputetja e PS, Evis Kushi, e cila e cilësoi të turpshme.

Sipas saj sot qytetarët i kishin sytë tek parlamenti, por përsëri ajo sallë hijerëndë përcolli shumë zhgënjim, indinjatë, turp, zemërim e madje edhe urrejtje.

Reagimi i Kushit: 

Sot të gjithë sytë e opinionit publik ishin përsëri tek parlamenti, me shpresën që në vend të kaosit e flakadanëve do të mbizotëronte fjala e mendimi, me besimin se politikanët do të ngriheshin në lartësinë e detyrës dhe do të merrnin përsipër përgjegjësitë që i kanë dhënë qytetarët me votë.

Por fatkeqësisht përsëri ajo sallë hijerëndë përcolli shumë zhgënjim, indinjatë, turp, zemërim e madje edhe urrejtje. Edhe pse tashmë e kanë kuptuar që bojkoti dhe dhuna nuk i shpie asgjëkundi, deputetët e opozitës as sot nuk arritën të vendosin interesin kombëtar mbi interesat e ngushta personale të një apo disa prej tyre.

Po humbasim shumë kohë, po humbasim durimin e njerëzve, veçanërisht entuziazmin dhe optimizmin e të rinjve. Faik Konica në vitin 1904 shkruante: “Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar.

Prandaj të dashur kolegë opozitarë, të largojmë urrejtjen e t’i kthehemi sa më parë normalitetit, paqes e dialogut! Edhe kur qëndrimet tona janë kontradiktore, dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara e për të zgjidhur problemet. Nëse e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, atëherë jemi ne të parët që duhet të sillemi si evropianë.

Është emergjente t’i japim brezit të ri arsye se ia vlen ta ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre në këtë vend plot potencial e bekime!

#ShqipëriaeArdhmjaJonë🇦🇱

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re