Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë reaguar pas deklaratës së ashpër të kryeministrit Edi Rama, i cili nga foltorja e Kuvendit kërkoi shpalljen në kërkim me ligj nga Parlamenti të një grupi prokurorësh dhe gjyqtarësh, që sipas tij janë pjesë e një grupi “Kap ça të kapësh (KÇK)”.

Në reagim shkruhet se qëndrime të tilla sipas tyre po dëmtojnë redormën në drejtësi.

“Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.”

Më tej, theksohet se qëndrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin siç është ajo në drejtësi, sjellin pasoja të dëmshme.

Reagimi: 

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve. Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë.

Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit.

Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi.

Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor.

Ndërsa qëndrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re