Në ditë të nxehta si këto që po kalon i gjithë globi, shumëkush mund të pyesë sesi e përballonin vapën dikur njerëzit, në një ekopë pa energji elektrike apo teknologjinë e sotme.

Mjafton të shkosh në qytetet e lashta të Perandorisë Perse apo në Egjiptin e lashtë, për të kuptuar sesa e mprehtë mund të jetë mendja e njeriut.

Ju prezantojmë me qytetin e vjetër të Yazd-it. Ndodhet në shkretëtirë, në zonën qendrore të Iranit. Dikur ishte pjesë e Persisë së lashtë dhe një vend që sot e kësaj dite, mban brenda gjeninë e njeriut.

Në Yazd ka një sistem të tërë mrekullie inxhinierike, përfshi këtu struktura ftohëse nëntokësore të quajtura yakhchāl, një sistem vaditje nëntokësore i quajtur qanats, e madje edhe një rrjetë postimi e quajtur pirradaziš , krijuar më shumë se 2 mijë vite përpara sistemit të famshëm postar të SHBA-ve.

E mes teknologjive të lashta, ndodhet dhe “Kapësi i erës”, ose bâdgir në gjuhën perse. Këto struktura të jashtëzakonshme janë një pamje e zakontë në qytetin e Yazd-it. Në të shumtën e herëve janë kulla rektangullare, por në raste të tjera kanë dhe forma rrethore, oktagonale, etj.

Edhe pse studiuesit mendojnë se teknika është shpikur në Egjiptin e Lashtë, qyteti i Yazdit ka më së shumti ‘kapës ere’ në të gjithë botën. Një mënyrë që nuk kërkon as energji elektrike, as ndonjë karburant apo veprimtari fizike njerëzore.

Ka dy forca kryesore që e çojnë ajrin përmes e poshtë këtyre strukturave. Era në ambientin e jashtëm dhe ndërrimi i ‘pluskueshmërisë’ së ajrit në varësi të temperaturës. Ajri i ngrohtë ka tendencë të shkojë për lart, ndërsa ai që është më i ftohtë (rrjedhimisht më dens), të qëndrojë poshtë.

Fillimisht, ajri ‘kapet’ mes të çarave të “Kapësit të erës”. Ajri më tutje tunelon poshtë, përgjatë strukturës (kullës), duke depozituar aty rërën apo të tjera materiale. Më pas ajri rrugëton drejt ambienteve të brendshme të godinës. Eventualisht, ajri i nxehtë ngrihet lart, duke ia lënë vendin ajrit të ftohtë.

Kjo është teknika bazike, por ka një sërë elementësh të tjerë që e bëjnë “Kapësin e erës”, formën më gjeniale për të krijuar një ambient të ftohtë në mes të shkretëtirës. Inxhinierët apo arkitektët e lashtë, kanë menduar në detaje çdo gjë, duke përfshirë numrin e të çarave që duhet të kenë kullat (kapësit e erës), e deri tek mënyra sesi të organizohet banesa, kanalet që do të lejojnë qarkullimin e ajrit etj.

Madje perfeksionimi i kësaj teknike ka shkuar deri atje sa kullat e korridoret janë të lidhura me sisteme uji, në mënyrë që ajri të ftohet edhe më tutje (prej ujit) para se të shkojë në dhomat e ndenjes apo banimit.

Artikulli u publikua nga BBC/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re