Policia Kufitare e Kakavijës, në bashkëpunim me Frontex-in, ka zhvilluar kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim.
Gjatë këtyre kontrolleve, në afërsi të një karburanti pranë pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, është ndaluar shtetasi A. Sh., 41 vjeç, i cili tentoi të hynte ilegalisht në Shqipëri duke fshehur në çantën e shpinës një shumë prej 160,000 eurosh, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Gjithashtu, nga verifikimet ka rezultuar se 41-vjeçari ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj burg për veprën penale “Vjedhja”. Pas kryerjes së veprimeve procedurale nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ai është ndaluar.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policise
Kontrolle intensive nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Frontex, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe për kapjen e shtetasve në kërkim.
Tentoi të hynte ilegalisht në Shqipëri, me një shumë të konsiderueshme parash, pa i deklaruar në pkk, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim për vjedhje, kapet dhe ndalohet 41-vjeçari.
Sekuestrohen 160 000 euro.
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e paligjshmërive në kufi, ndalimin e shtetasve që sinjalizohen të shpallur në kërkim apo të atyre që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kalimi, në mënyrë të parregullt, kanë kapur në afërsi të një karburanti, në pkk, në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin për të hyrë në Shqipëri, shtetasin A. Sh., 41 vjeç, rezident në Greqi.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 41-vjeçarit shërbimet e Policisë gjetën në çantën e shpinës, disa zarfe brenda të cilave kishte 160 000 euro që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar në pkk.
Gjithashtu, si rezultat i verfikimeve të kryera ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”. Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga ana e DVP Tiranë, u bë ndalimi i tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.