Një 20-vjeçar algjerian është arrestuar në fshatin Kapshticë, gjatë natës, teksa shoqëronte një shtetas tjetër algjerian, duke i dhënë ndihmë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti që ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të kalonin ilegalisht nga Greqia në Shqipëri, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.
Shërbimet kufitare dhe hetimore kanë zbuluar se aktiviteti kriminal kryhej kundrejt pagesës, ndërsa 20-vjeçari vepronte në bashkëpunim me persona të tjerë, gjithashtu shtetas algjerianë, të cilët aktualisht janë në kërkim.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale, si dhe për të identifikuar dhe kapur bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të paligjshëm.
Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të arrestuarit, i cili do të përballet me akuzën për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.