Një rast i kontrabandës së medikamenteve mjekësore është goditur së fundi nga policia kufitare e Kakavijës. Policia ka vënë në pranga drejtuesin e një kamioni të identifikuar si Dorian Koço, i cili po transportonte një sasi medikamentesh, që nëse do të shiteshin në treg kapnin vlerën e 2200 eurove.

Njoftimi i policisë:

Goditet një rast i kontrabandës me medikamente mjekësore. Sekuestrohet një sasi e konsiderueshme ilaçesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës. Arrestohet në flagrancë poseduesi.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi D. K.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe shërbimet e Frontex-it, gjetën të fshehura në kabinën e kamionit 4 qese, brenda të cilave kishte medikamente mjekësore (ilaçe) me vlerë totale 2 200 euro, të pa shoqëruara me dokumentacionin përkatës.

Pas veprimeve të kryera hetimore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin D. K, 30 vjeç, banues në Fier.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re