Ditmir Bushati diskutoi në podacastin e tij “Public Square” me Yanis Varoufakis, ekonomist i njohur ndërkombëtarisht, ish ministër i financave të Greqisë, autor i shumë librave për kapitalizmin dhe teknologjinë, rreth pasojave politike, ekonomike e shoqërore të zhvillimit të vrullshëm teknologjik.

Varoufakis vjen me tezën shkundëse se “kapitalizmi ka vdekur” dhe se po jetojmë në epokën e “tekno-feudalizmit”, ku tregu i dikurshëm është zëvendësuar nga platforma digjitale, dhe ku përfitimi i dikurshëm është zëvendësuar nga qiratë, përmes të cilave funksionojnë këto platforma digjitale.

Varoufakis mendon se kemi të bëjmë me “një formë të re kapitali, që quhet kapital virtual, që mund të bëjë shumë gjëra njëherësh. Mund ta kapë vëmendjen tënde në një mënyrë sesi e kapnin dikur programet televizive, mund të të fusë ide në kokë në lidhje me produktet që dëshiron, ashtu siç bënin reklamat, por nuk është si reklamë televizive, që vjen tek ty vetëm në një mënyrë. Gjithçka realizohet nëpërmjet aktiviteteve të tua si përdorues. Secili nga ne prodhon punë që nuk paguhet, punë me të cilën rimbushet dhe riprodhohet kapitali virtual i atij algoritmi. Në fund, ajo që ndodh është se pronari i atij kapitali virtual shfrytëzon punën tënde falas me qëllim maksimizimin e fuqisë së tij për të marrë 40% të çmimit të sendit të cilin të bind ty ta blesh dhe gjithashtu ta shet ty atë direkt duke anashkaluar çdo treg”.

Teknologjia dhe modifikimi i sjelljes njerëzore

Bushati dhe Varoufakis bien dakord se kapitali virtual e ka inxhinieruar dhe monetizuar sjelljen njerëzore duke rrëzuar gardhin lirive individuale dhe duke nxitur një garë brutale për klikime e të dhëna. Për ta ilustruar këtë, Varoufakis merr shembullin e intervistave për punë: “E dini që tani ka edhe intervista të realizuara nëpërmjet inteligjencës artificiale si filtrim i parë i kandidatëve? Pavarësisht nëse janë njerëz apo inteligjencë artificiale, gjëja e parë që bëjnë është se të shohin profilin në rrjetet sociale, faqen tënde në Facebook, çfarë ke postuar në Instagram, TikTok, postimet në rrjetin X. Bëjnë përmbledhje të çdo gjëje, apo të bëjnë ty një përmbledhje. Me fjalë të tjera, të rinjtë, edhe kur janë në shtëpi në mes të natës, postojnë ndonjë gjë në TikTok, në mendjen e tyre ata e dinë se do të gjykohen në bazë të postimeve që bëjnë, edhe sikur kjo të mos jetë e ndërgjegjshme, por e pandërgjegjshme. Pra nuk ka asnjë kufi, vijë ndarëse, gardh mbrojtës që të ndajë punën nga kënaqësia. Ata jetojnë me ankthin e pandërprerë të krijimit të një personaliteti që do të jetë i pranueshëm dhe i dëshirueshëm nga Google, nga Facebook, nga pronarët tekno-feudalë, kapitalistët virtualë”.

 Tekno-konkurrenca dhe gjeopolitika

Lufta e re e ftohtë ndërmjet SHBA-së dhe Kinës vjen ngaqë kemi një përplasje të madhe ndërmjet dy çifligjeve të përbëra nga kapitali virtual, ai amerikan dhe ai kinez, mendon Varoufakis. Ai e konsideron të rrezikshme për paqen ndërkombëtare tekno-feudalizmin, Sipas Varoufakis, “Po të krahasosh General Motors apo Volksëagen nga njëra anë, dhe Facebook nga ana tjetër, të gjitha kompanitë si Volksëagen apo General Motors paguajnë rreth 85% të të ardhurave të tyre, si paga për punëtorët, administratorët, administratorët e lartë. Ata marrin afërsisht 85% të të ardhurave të korporatave të mëdha të dikurshme. Facebook paguan më pak se 1%. Pra, e gjithë kjo pasuri, e gjithë kjo qira virtuale (cloud rent) merret nga ky rreth qarkullues i të ardhurave në SHBA, në Gjermani, në Francë, kudo. Që do të thotë se kërkesa agregate është shumë e ulët. Që do të thotë se sistemi është më i paqëndrueshëm në veriun global. Kjo paqëndrueshmëri nxit tendencën për të bërë dy gjëra. E bën Bankën Qendrore të prodhojë më shumë para me qëllimin për të zëvendësuar kërkesën agregate të humbur, dhe imperializmi, gjetja e tregjeve e më shumë tregjeve të tjera”.

Hakmarrja ndaj të majtës së mposhtur

Me zhvendosjen shumë të madhe të pushtetit nga sfera e industrisë tek sfera financiare, social-demokracia pushoi së qeni një forcë zhvillimi e civilizimi, pasi bashkimi në një sallë i industrisë dhe sindikatave për të arritur marrëveshje, ishte i pamundur. Sipas Varoufakis, “Me kolapsin e sektorit financiar në vitin 2008, social-demokratët që ishin në qeveri nuk ishin më në gjendje, nuk kishin as mprehtësinë analitike, e as fuqinë morale për t’u thënë bankierëve, ‘ok, ju e djallosët, largohuni nga skena, ne do t’i shtetëzojmë bankat, do t’i shpëtojmë, por ju jeni jashtë skene’. Në vend të kësaj ata aplikuan masa shtrënguese të mëdha dhe printuan para për t’ua dhënë bankierëve. Dhe ky është fundi i social-demokracisë”. Sot kemi një ndryshim tjetër, insiston Varoufakis: “E kujtoni sesi u zhvendos pushteti nga industrialistët tek financierët, dhe tani po zhvendoset tek kapitali virtual. Si mundet Jeff Bezos dhe sindikatat të ulen në të njëjtën tryezë?”

Kush e ka në pronësi Inteligjencën Artificiale?

Bushati dhe Varoufakis vlerësuan Inteligjencën Artificiale si “triumf i shpirtit njerëzor”. Megjithatë, sipas Varoufakis, “kur është fjala për teknologjinë, çështja është se kush e ka në pronësi atë, sepse, e dini, është si një bombë atomike apo teknologji atomike. Kush e ka në pronësi teknologjinë atomike dhe për çfarë po e përdorin? Nëse po e përdorin për të krijuar radio-izotope për shërimin e kancerit për të siguruar që shumica e njerëzve t’i mbijetojnë kancerit, kjo është një gjë fantastike, por nëse e përdorin për të ndërtuar një bombë atomike për të na hedhur në erë, kjo nuk është gjë e mirë. Pra, më shqetësojnë të drejtat e pronësisë. Kush e ka në pronësi këtë dreq gjëje?- thotë ai.

“Shkretëtirizimi i Ballkanit”

Varoufakis ngre shqetësimin e madh për “shkretëtirizimin” që ka prekur vendet e Ballkanit pasi “nuk ka asnjë investim për inteligjencën artificiale, nuk ka asnjë investim për teknologjinë e gjelbër, nuk ka asnjë investim. Dhe çdo inteligjencë artificiale që po përdoret, po përdoret për të shterruar më tej çdo punë me cilësi që kemi”. Do të përfundojmë me asgjë më tepër sesa me hotele me pesë yje, klinika me pesë yje për të moshuarit, shtëpi të moshuarish në mënyrë që gjermanët, suedezët dhe norvegjezët të vijnë të kalojnë vitet e tyre të fundit në një klimë më të mirë, ndërkohë që ne bëhemi pak si Haëaii”, shton ai.

BE-ja ka marrë fund

Varoufakis mendon se BE-ja nuk ka nxjerr mësimet e duhura nga kriza e eurozonës. “Nuk mund të kesh një Bashkim Monetar po nuk pate një Bashkim Fiskal, pa pasur një politikë investimi të përbashkët, që nuk varet nga buxhetet e veçanta të shteteve kombe”, thotë ai. Pandemia provoi kapacitetin e Europës për të bërë më shumë nëse dëshiron, duke rrëzuar tezat e neo-liberalëve se, shteti ka mbaruar, është shumë i kufizuar nga ana fiskale, nuk ka shumë mundësi për shkak të borxheve, thjesht lërjani tregut në dorë. Megjithatë, Varoufakis shfaqet kritik me mungesën e proceseve politike, Fondin e Rimëkëmbjes nga Koronavirus, mungesën e investimeve dhe energjinë e gjelbër. Varoufakis shton se “punëtorit gjerman iu desh të huazonte para në emër të oligarkëve grekë. Kjo është recetë për të shkatërruar mundësinë e një Bashkimi Europian siç duhet të jetë, sepse kjo i kthen gjermanët kundër Bashkimit Europian, që nuk duan të dëgjojnë për federatën, që nuk duan të dëgjojnë për konsolidimin, një bashkim fiskal, sepse sa herë dëgjojnë fjalët “Më shumë Europë” (More Europe), ata imagjinojnë më shumë taksa për mua që të paguhen oligarkët italianë dhe grekë. Kështu që kam frikë se Europa nuk është më. Mendoj se ky Bashkim Europian ka marrë fund.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re