Elseid Hysaj i cili do të mbajë shiritin e kapitenit të Kombëtares shqiptare vlerësoi kundërshtarin, ndërsa u shpreh se Shqipëria është gati për sfidën kundër Moldavisë.
Kapiteni kuqezi nënvizoi se skuadra duhet të luajë e qetë dhe e përqëndruar, teksa tha ndër të tjera se pritshmëritë e Shqipërisë në këto kualifikuese janë të larta dhe synimi është finalet e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.
Ndeshja kundër Moldavisë – Moldavia ka një skuadër të mirë dhe ka treguar që ka kualitet në këto dy ndeshjet e fundit. Por ne nuk duhet të shpejtësojmë lojën tonë për të shënuar gol ose për të fituar ndeshjen sa më shpejt sepse një ndeshje luhet 90 minuta dhe mund të jetë edhe në minutën e fundit ato kryesore. Duhet të jemi të qetë në fushë, të bëjmë gjërat që kemi bërë në stërvitje dhe mund t’ia dalim mbanë.
Mungesa e Balliut dhe pozicioni në të djathtë, sa ndikon? – Jam më mirë djathtas, luaj më mirë me këmbën e djathtë. Është një gjë plus për mua. Përpiqem të jap maksimumin, djathtas jam më i qetë dhe më i mirë dhe me lojën.
Çfarë ka ndryshuar në mentalitetin e Shqipërisë? – Nuk ka ndeshje të lehta. E kemi provuar edhe me skuadrat e vogla në kampionat, nëse në letër duken të lehta, nuk janë. Ndeshjet janë të forta, duhet të jemi të përqëndruar dhe mos të na marrë entuziazmi i tifozëve apo i dëshirës për të fituar ndeshjen sa më shpejt. Kemi lojtarë të mirë, bëjmë lojë të bukur. Kemi futbollistë që mund t’i shfrytëzojmë në sulm. Duhet të shkojmë në fushë dhe të bëjmë ato që na thotë trajneri prej një jave.
Pritshmëritë janë të larta, sa e ka kuptuar grupi këtë gjë? – Pritshmëritë janë të larta jo vetëm për tifozët, por edhe për ne. Edhe unë kam dëshirë të kualifikohem në EURO 2024. Të gjithë kemi këtë mendim, thjesht duhet të jemi në fushë ata që kemi treguar edhe në ndeshjen e fundit. Kompaktë, një skuadër që luftojmë 1 kundër 1 dhe të tregojmë që jemi një grup i fortë. Nëse zbresim në fushë dhe luajmë si kundër Polonisë, ashtu edhe ndaj Moldavisë, atëherë do kemi një rezultat pozitiv.
Risitë e Kombëtares në këtë ndeshje – Risia është ajo që po kuptojmë edhe më shumë trajnerin. Me kalimin e kohës po mësojmë se çfarë loje po kërkon ai. Po mësojmë se si të futemi në fushë, kemi taktikat tona, t’i shfrytëzojmë ato pjesë që trajneri mendon se mund të jenë të rrezikshme për ne./fshf.org