Vllaznia padyshim ishte mbretëresha e merkatos sa i përket afrimeve të lojtarëve por ditët e fundit fati nuk ka qenë me shkodranët. Edhe pse kampionati nuk ka një datë zyrtare se kur do të fillojë, tekniku Tomas Brdaric do të duhet të bëjë pa 2 lojtare të rëndësishem në kampin kuqeblu. Kapiteni Erdenis Gurishta  dhe mbrojtësi i ardhur në merkaton e verës Eni Imami janë infektuar me koronavirus. Në një intervistë për “Vizion Plus”, Gurishta tha se gjendja e tij është e mirë ndërsa  tregon simptomat e para të këtij virusi.

 

“Gjendja ime është drejt normalizimit, ka 8 ditë që jam karantinuar në shtëpi dhe po marr ilaçet që më ka dhënë doktori. Simptomat e para që m’u shfaqen  ishin temperaturë dhe dhimbje koke pastaj me kalimin e ditëve kisha dhimbje trupi dhe humbje shije por tani nuk kam më këto simptoma dhe besoj se çdo gjë është drejt përmirësimit.”

 

Si kapiten i skuadrës , Gurishta foli dhe për objektivat e klubit shkodran të cilat janë rritur nëse do i krahasojmë me sezonin që lam pas.

 

“Kur largohen  shumë lojtarë nga një ekip  dhe kur afrohen shumë lojtarë të rinj , normalisht që është e vështirë. Por mendoj që jemi në rrugën e duhur  sepse lojtarët po ambientohen me njëri-tjetrin . Këtë  e kemi treguar dhe në ndeshjet e fundit miqësore pavarësisht se rezultati ka pak rëndësi. Pavarësisht të situatës momentale jo të mirë  që po  kaloj për shkak të virusit, mendoj se fillimi i kampionatit do të më gjej gati  edhe  pse kam humbur disa seanca stërvitore.”

 

Në fund shkodrani bëri dhe një koment lidhur me bojkotin e Superligës

 

“Sigurisht ky bojkot nuk ka shërben ne futbollistëve , prandaj mendoj se duhet të ketë një zgjidhje dhe të fillojë kampionati sa më shpejt. E them këtë pasi në rast të kundërt  do të jetë problem sepse do ngjeshet kalendari dhe skuadrat mund të kenë dhe dëmtime prandaj  uroj të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë.”

 

Vllaznia ka ndryshuar rrënjësisht nga sezoni që lamë pas , pasi ka larguar lojtarë me peshë si Gilman Lika, Ndricim Shtubina, Renato Malota apo gardiani i portës Alen Sherri. Duket se me ardhjen e teknikut gjerman Tomas Brdaric skuadra është gati të arrijë majat e klasifikimit .

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re