Pas sanksioneve që kanë vendosur vendet Perëndimore, Vladimir Putin mori një vendim të dielën dhe kaloi në gatishmëri të veçantë forcat strategjike bërthamore të Rusisë.

Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla, sqaroi, se Rusia nuk është vetëm poseduesja më e madhe e armëve bërthamore, por edhe e atyre të shkatërrimit në masë. Sipas Kullës, “Putin po luan politikisht, po luan blofin, por dhe po bën një kërcënim real”.

“Rusia nuk është vetëm poseduesja më e madhe e armëve bërthamore, por është poseduesja e të gjitha armëve të shkatërrimit në masë që ka sot. Armë e shkatërrimit në masë do të thotë armë kimike, biologjike, bakterologjike, bërthamore.

Ai ka mundësinë për shkak të teknologjisë së madhe që ka zhvilluar, kjo ka qenë arsyeja e negociatave gjithmonë shumë të vështira me Iranin për çështjen e bërthamoreve se të gjithë kanë ditur se raketat për t’i transmetuar i ka vetëm Rusia për t’ia dhënë Iranit. I ka dhe SHBA nga ana tjetër, por nuk ia jep Iranit dhe Izraeli prandaj ka qenë gjithmonë i merakosur.

 Ajo çfarë më shqetëson është që me këtë urdhër ai do të autorizojë përdorimin e të gjitha armëve të shkatërrimit në masë në sebepin të çdo gjëje që kërcënon ushtrinë ruse atje. Armët e shkatërrimit në masë janë përdorur në konfliktin e Sirisë, në Libi, në Kaukaz, në mënyrë të vazhdueshme. Përderisa bota i ka toleruar tani kemi rrezikun e kërcënimit bërthamor. Pse tani? Kur u prish marrëveshja mes Rusisë dhe Amerikës për armët bërthamore? Para 2 vjetësh në kohën e Presidentit Trump.

Pra Putin në një negociatë të mundshme që mund të vijë nga çështja e luftës në Ukrainë do të ulë në tavolinë edhe çështjen e armëve bërthamore. Pra po luan politikisht, po luan blofin, por dhe po bën një kërcënim real”, tha Kulla.

Eksperti sqaroi se Rusia nuk është në “izolim total sepse ka Kinën nga mbrapa”.

Ndërkohë Ermal Jauri tha se kapitullimi i Putin e bën akoma më të rrezikshëm atë dhe për ta marrë kërcënimin e tij më seriozisht, sidomos sa i përket përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë.

“Gjithmonë në mendjen e Putin ka qenë “Nëna Rusi” dhe e ka quajtur shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si një ndër fatkeqësitë më të mëdha. Një ndër skenarët që është diskutuar gjithmonë, ka qenë një agresion i Rusisë dhe a do të përdoren armët bërthamore.

Askush deri më sot nuk e ka marrë seriozisht Putin që do të ndërmerrte një operacion ushtarak ndaj një shteti sovran. Ja ku ndodhi. Kërcënimi me armë bërthamorë nuk mund të ndodhë për mendimin tim vetëm me faktin se ai kërcënoi, por se është futur në një rrugë pa kthim.

Nuk mund të kthehet në Rusi me mijëra jetë të humbura, me miliona dollarë të humbura dhe të thotë nuk fitova asgjë. Ose do të arrijë të fitojë një pjesë territoriale dhe të thotë, “po unë u futa në luftë, por bëra akoma më të madhe Rusinë, ose do të jetë kapitullimi i tij.

Kapitullimi i tij e bën akoma më të rrezikshëm për ta marrë seriozisht, dhe për ta marrë kërcënimin më serioz, jo për armët bërthamore, por as më shumë për ato që tha zoti Kulla për armët e shkatërrimit në masë, armë kimike, armë biologjikë që i ka përdorur në konflikte”, tha ai.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re