Skip to content

Kapri në Kuvend para komisioneres Kos: Qeveria flet për luftën kundër korrupsionit në Bruksel, por pengon SPAK-un në Tiranë

kapri 1

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka publikuar në rrjetet sociale një video-mesazh nga fjala e tij në Kuvendin e Shqipërisë, drejtuar komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Gjatë fjalës së tij, Kapri ka kritikuar qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj drejtësisë, duke deklaruar se në Bruksel prezantohet një qasje në mbështetje të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në Tiranë, sipas tij, ndërmerren veprime që pengojnë punën e SPAK-ut.

Deputeti i “Mundësisë” u shpreh se përparimet në luftën kundër korrupsionit janë rezultat i punës së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa qeveria nuk ka dhënë kontributin e duhur në këtë drejtim.

Kapri solli në vëmendje edhe qëndrimet e ndryshme të kryeministrit për hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, duke përmendur rastet e Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut.

Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e mazhorancës në Kuvend për kërkesën e SPAK-ut lidhur me heqjen e imunitetit parlamentar të ish-zëvendëskryeministres.

“Kryeministri i vendit flet me dy standarde. Në Bruksel ai flet pë luftën kundër korrupsioni, por nuk ka asnjë rast të vetëm që qeveria të ketë referuar apo parandaluar në Prokurori. Ç do përparim është bërë nga SPAK, i vetëm pa ndihmën e askujt, madje i sulmuar . Para jush edhe Rama thotë se hetimet ndaj Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut janë dëshmi e reformës në drejtësi. Por në Shqipëri arrestimin e Veliajt e cilëson si një si një arrestim pa gjyq, kërkesën për arrestimin e Ballukut e rrëzoi në Kuvend duke e mbrojtur me imunitet parlamentar. Ish zëvendëskryeministrja që akuzohet për vjedhje shpërdorimin në vlerën e një miliardë eurove. Qeveria e një vendi që pret të anëtarësohet në BE, është kthyer në mburojë të ë akuzuarve për korrupsion. Ky kontrast meriton vëmendjen tuaj. Ju kërkojmë të mbështesni të njëjtat parime që qëndrojnë në themel të BE”, tha ai.