Myftiu i Shkodrës imam Muhamed Sytari gjatë predikimit këtë të premte ka kundërshtuar me forcë kërkesën e komunitetit LGBT për të zëvendësuar fjalën nënë dhe babë në kodin e familjes me fjalët Prindi 1 dhe Prindi 2.

Sipas myftiu të Shkodrës kjo është e papranueshme sepse shkatërron bazën e familjes shqiptare dhe çon shoqërinë drejt dekadencës njerëzore.

Myftiu Sytari bëri një thirrje për Parlamentin shqiptar që të mos e ndryshojnë Kodin e Familjes.

“Të hedhim sytë tek shoqëria e jonë dhe të ndalemi tek tendenca e çuditshme dhe paradoksale për të prekur dhe rrënjët e tabanit, themelin e shoqërisë njerëzore, familjen dhe kodin e saj. Në fakt nuk është një bidat e ri, sepse po i kalon koha, sepse ne për vite po dëgjojmë thelbin e familjes, për të shkatërruar familjen, për të shkatërruar familjen dhe për ta kthyer të riun shqiptar si një individ i dobët pa imunitet, pa aftësi për të rezistuar përballë jetës, pa modele, pa nënë, pa babë, fillikat i zhveshur nga çdo e mirë. Ky është një bidat i kahershëm dhe po rikthehet përsëri në shoqërinë shqiptare.

E habitshme! Pse? Në vend që ne të flasim për problemet e familjes dhe nxitjen që duhet të kenë institucionet e vendit për të forcuar e familjen, për të forcuar pozitën e nënës dhe babës, këtu duhet me u përpjek, pa të lodhim kokën për t’i kthyer përgjigje njërit dhe tjetrit për mbrojtjen e Kodit të Familjes Allah Allah!

Kjo është e çuditshme! Kjo nuk është normale! Të duket sikur je në ëndërr dhe thua kur do zgjohem se u kthye në makth. Do diskutohet në parlamentin tonë, mbledhje pa fund për të ndryshuar Kodin e Familjes, Allah Allah!

Ç’a ka ba vaki? Kaq poshtë kemi ra, kaq poshtë kemi rrëshkit? A nuk na dolën 23-vite poshtërim për tu larguar nga rruga e zotit, për tu rikthyer pas 3 dekadash për të thyer qafën në kanalet e reja të dekadencës njerëzore me të cilin përballet realiteti shqiptar sot. Është paradoks i madh dhe një gabim i frikshëm i disave që kanë pranuar shitjen e dinjitetit dhe besimin për të arritur ndryshimin e Kodit të Familjes, për të pranuar atë që nuk duhet të pranohet. Për të kthyer nënën dhe babën në numra. A kthehet nëna dhe baba në numra? A quhet nëna prindi 1? A quhet baba prindi 2? A prishet familja për të trupëzuar agjendat e shejtanit të mallkuar?” tha Myftiu.

Këto deklarata myftiu i Shkodrës imam Muhamed Sytari i bëri këtë të premte që është e para në kuadër të 16 nëntorit 1990 që përkon me rihapjen e xhamisë së plumbit në Shkodër dhe rikthimin e lirisë së besimit për komunitetin mysliman shqiptar si një ditë historike për vendin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re