Skrapari arrin një tjetër fitore në shtëpi shumë të rëndësishme dhe për herë të parë në këtë sezon ngjitet në vendin e 10. Fitorja ka ardhur ndaj një rivali direkt, si është Gramozi i Ersekës.

Ndeshja ka qënë shumë e luftuar nga të dy skuadrat dhe 7 kartonë të verdhë dhe 2 të kuq e tregojnë këtë.

Serinë e golave e hapin miqtë me Cenkon që shënon në minutën e 17’ dhe kalon Gramozin përpara. Por pikërsht këtu nis edhe KaramaniShow. Futbollisti beratas Fatjon Karamani shënon tre herë për të përmbys Gramozin dhe për ti dhënë tre pikë të rëndësishme skrapalinjve.

Goli i parë i kapitenit të Skraparit vjen nga pika e bardhë realizuar saktë nga Karamani duke barazuar shifrat në minutën e 27’. Por vetëm dy minuta më pas Skrapari mbetet me 10 futbollistë pas daljes me karton të kuq të Lamçes.

Me fillimin e fraksionit të dytë barazohen edhe kartonat e kuq kur Potka lë fushën pas dy kartonëve të verdhë për Gramozin.

Për të mbyllur ndeshjen është Karamani që shënon dy gola deri në fund dhe tashmë Skrapari ngjitet në vendin e 10 me pikë të barabarta me Domosdovën dhe Memaliajn duke lënë pas vetesh me një pikë më pak Gramozin dhe Përmetin.

Ndërkohë javën tjetër skrapalinjtë udhëtojnë drejt Elbasanit ku do të përballen me kryesuesit e grupit, Elbasanin./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re